Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, do t’i dërgojë letër Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në të cilën do të kërkojë të thëret mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.


Kjo bëhet e ditur përmes një komunikate nga kabineti i tij, njofton INA.

Në këtë takim, ministri Lloga do të kërkojë shqyrtimin e situatës në burgjet e vendit dhe situatën me mbi 2800 të dënuar me akt udhëzimi, të cilët nuk janë në vuajtje të dënimit për shkak të mungesës së hapësirave, e të cilët paraqesin rrezik potencial për të gjithë shoqërinë dhe mundësinë që veprat e tyre të mëparshme të vjetërsohen dhe në këtë mënyrë të inkurajohen që t’i përsërisin të njëjtat.

Ministri Krenar Lloga po ashtu siç thuhet do t’i dërgojë një letër të veçantë Ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorëve të ASK dhe AZ, ku do të kërkohen informacionet e njëjta.