Finlanda do ta mbyllë tërë kufirin e saj me Rusinë për udhëtarët për dy javët e ardhshme në përpjekje për të frenuar një valë të azilkërkuesve që kanë mësyrë shtetit verior evropian, njoftuan autoritetet e atij shteti.


Javën e kaluar, Helsinki mbylli pothuajse të gjitha pikë kalimet kufitare me Rusinë për udhëtarët, përpos njërit prej tyre, që shtrihet në skajin verior të vendit.

Megjithatë, qeveria tha se edhe ajo pikë do të mbyllet, duke e lejuar vetëm kalimin e mallrave, raporton “Reuters”.

Roja Kufitare Finlandeze ka njoftuar se rreth 900 azilkërkues nga vende të ndryshme, përfshirë Kenian, Marokun, Pakistanin, Somalinë, Sirinë e Jemenin, kanë hyrë nga Rusia në Finlandë në nëntor.