Gjatë fundjavës reshje bore edhe në viset më të ulëta


Bora mbërrin në vendin tonë. Zbardhen malet rreth qyteteve kurse metereologët paralajmërojnë se gjatë fundjavës reshje dëbore do të ketë edhe nëpër vendbanime urbane.

Edhe drejtime të ndryshme rrugore janë me shtresë dëbore. Pamjet që i shihni janë nga drejtimi rrugor Gostivar – Strugë.

Nëpër rrjete sociale kanë filluar të shpërndahen pamje të borës së re që ka kapluar shumë vendbanime dhe vise malore në vendin tonë.

Nën ndikimin e një vale të lagësht dhe të ftohtë, moti përjetoi ndryshim drastik, fillimisht me reshje shiu e më pas edhe me reshje të borës në viset malore.

Drejtoria për Punë Hidrometereologjike thotë se në viset malore do të formohet shtresë më e madhe e dëborës, e cila nuk do të mungojë as edhe nëpër qytete sidomos në pjesën perëndimore të vendit.

Në Qendrat e Skijimit metereologët parashikojnë shtresë dëbore deri në 50 centimetra që do të jetë ideale për adhuruesit e sporteve dimërore.

Gjatë fundjavës pritet erë e fuqishme nga drejtimi verior që vende-vende do të mbërrijë në 70 kilometra në orë, kurse nga e Hëna temperaturat e mëngjesit pritet të shkojnë deri në minus 10 gradë Celsius.