Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka takuar Drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNDP-së në Stamboll, Steliana Nedera, e shoqëruar nga përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vendin tonë, Armen Grigorian. Zëvendëskryeministri Bytyqi, me rastin e vizitës së parë të znj. Nedera në Maqedoninë e Veriut, e njoftoi me aktivitetet e përbashkëta që Qeveria i realizon në bashkëpunim me UNDP-në, në projekte të ndryshme.


Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe përfaqësuesit e UNDP-së diskutuan për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, për të cilën zëvendëskryeministri Bytyqi njoftoi se draft-versioni i Ligjit për SKZH tashmë është përgatitur dhe do të finalizohet deri në fund të nëntorit, pas së cilit pritet të miratohet në Kuvend.

“Në takimin e sotëm u diskutua edhe për Instrumentin e Financimit të Gjelbër, për të cilin Maqedonia e Veriut u zgjodh në mesin e dhjetë vendeve më të mira për instrumente financiare në botë dhe për të cilin do të marrë mjete nga Fondi i Përbashkët për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Me këtë rast, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe Drejtoresha e Zyrës Rajonale të UNDP-së në Stamboll, Steliana Nedera, trajtuan detajet teknike të projektit që u promovua me sukses më 3 nëntor të vitit 2023”, informojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Konkluzioni i përbashkët i takimit ishte se mbështetja financiare nga ky program do të sigurojë qasje në financime më të lira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për individët dhe familjet për investime në burimet e rinovueshme të energjisë dhe zgjidhjet e efikasitetit të energjisë.