Gjatë ditës së djeshme, tre shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut (babai dhe dy fëmijë), në mënyrë të sigurt u larguan nga Gaza dhe të shoqëruar nga ushtruesja e detyrës në Ambasadën tonë në Kajro, Elma Altorok, janë nisur drejt kryeqytetit egjiptian dhe prej atje drejt Maqedonisë së Veriut, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.


“Me ta përmes Rafah është evakuuar edhe nëna e fëmijëve, e cila ka dokument udhëtimi palestinez. Në Gazë ndodhen edhe dy qytetarë tanë. një çift i martuar, të cilët gjithashtu janë të përfshirë në listat zyrtare të evakuimit, por largimi i tyre nga Gaza varet nga rrethanat në terren, respektivisht nga vlerësimi i sigurisë se cila pjesë e Gazës është më e goditur e që si pasojë paraqitet nevoja për evakuim të menjëhershëm të shtetasve të huaj”, sqarojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Njoftojnë se Ministria e Punëve të Jashtme, përmes rrjetit të saj diplomatik në Kajro dhe Tel Aviv, qëndron në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, si dhe me qytetarët tanë deri në përfundimin e evakuimit të plotë të qytetarëve tanë.