Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë promovimit të sekretariateve të degës së kësaj partie në Çair foli për zhvillimet në vend dhe veprimet e BDI-së.


“BDI është lëvizje e fuqishme politike, që nga themelimi ka pasur përpjekje për ta zhbërë. Në një tubim që ka qenë masiv në Shkup kam thënë që kjo lëvizje nuk shuhet, për dy gjëra, sepse themelet e ngritjes i ka tek gjaku i idaelistave dhe kontributi i misionarëve. Prandaj Bujar mos u shqetëso se çka flasin. Se kështu fliste edhe Zoran Zaev nëpër fushatë, tani të fundit, ku kërkonte dhe mësoi të vetmen fjalë shqipe BDI opozitë. Edhe të tjerët që flasin na morrrshin pleshtat, sepse BDI është e etabluar, e organizuar dhe më të fortë e bëjnë kur kësaj lëvizje misionarësh i janë bashkëngjitur intelektualë dhe profesionistë të fushave të ndryshme”, theksoi Ahmeti.

Sipas tij, më shumë se dy parti shqiptarët nuk kanë nevojë, mirëpo ambiciet e njerëzve dhe gurmazin e tyre nuk mund ta ndalin.

“Kështu që mendojnë se janë të mençur, por ta dijnë se BDI është forcë tepër e organizuar dhe e etabluar dhe as mos të ëndërroj se dikush se mund ta fitoj. Ne kemi ofruar goxha subjekte me të cilët kemi gjetur gjuhë të përbashkët për një aleancë dhe fronti për Evropën. Ne kemi përpara disa zgjidhje siç janë ndryshimet kushtetuese.Unë nuk bëj politika me standarde të dyfishta, i kam thënë të gjitha partive maqedonase, se është interes që të votohen ndryshimet kushtetuese dhe vendi të bëhet pjesë e BE-së”, theksoi Ahmeti.