Dje (05-tetor) në Gostivar është mbajtur takimi me përfaqësuesit e tri shoqërive të gjuetisë nga Gostivari, Çegrani dhe Vrapçishti, i cili është iniciuar dhe mbajtur nga Njësiti për parandalim i Sektorit të Punëve të Brendshme-Tetovë.  Në takim, të pranishmit u njohën për së afërmi me dispozitat e Ligjit për Gjuetinë dhe Ligjit për Armët dhe u theksua nevoja e rrespektimit të plotë edhe atë pa përjashtim dhe pa kushte.  Ata u njoftuan edhe për sanksionet ligjore lidhur me gjuetinë ilegale, gjegjësisht gjuetinë pa leje, por u rrikujtua edhe një herë se nuk mund të gjuajnë me armë të të tjerëve apo me armë të paregjistruara që u kanë qenë më parë, të afërmve të tyre të vdekur.  Gjuetarët e këtyre tri shoqërive, megjithatë, në takimin e djeshëm shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me policinë dhe mbështetën plotësisht kontrollet e fundjavës që po ushtrohen në vazhdimësi këtë vjeshtë dhe u zotuan se do t’i intensifikojnë edhe më shumë.  Gjuetarët veçuan si të pranishëm problemin me individë që dalin nëpër vendgjueti dhe nuk janë anëtarë të shoqërive.

 Takime të tilla u organizuan edhe muajin e kaluar me përfaqësues të pesë shoqatave  të gjuetisë nga rajoni i gjerë i Tetovës, përkatësisht nga Tetova, Bërvenica, Tearca dhe Bogovina.

 Qëllimi i këtyre takimeve është që gjuetarët nga rajoni i Pollogut të informohen me kohë për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me legjislacionin aktual dhe paraprakisht të parandalojnë problemet e mundshme në këtë drejtim.TS