Rreziqet po rriten për termocentralet bërthamore të Ukrainës për shkak të afërsisë së konflikteve të luftës dhe ndërprerjeve të energjisë, tha sot drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.


“Ka shumë rreziqe që po shumohen dhe që do të vazhdojnë të ekzistojnë deri në fund të luftës,” u tha Grossi gazetarëve në margjinat e një vizite në vendin e planifikuar për varrosjen e mbetjeve radioaktive në Beer, Mez, në Francën lindore.

Termocentrali bërthamor Zaporizhia në Ukrainën jugore u kap nga ushtria ruse në mars të vitit 2022, disa ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. Moska dhe Kievi akuzojnë njëri-tjetrin për sulme rreth objekteve të centralit bërthamor.

“Veprimet ushtarake janë shtuar dhe në misionin tonë të përhershëm të ekspertëve, që kemi në Zaporizhia dhe gjithashtu në termocentrale të tjera të Ukrainës, ne po shohim intensitet të sulmeve rreth termocentraleve”, tha Grossi. “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar.”

Kreu i IAEA iu referua gjithashtu ndërprerjeve të energjisë “të cilat përbëjnë rrezik për funksionimin e ftohjes” të reaktorëve.

Zaporizhia, termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, ka qenë objektiv i bombardimeve dhe në disa raste ka pasur ndërprerje në rrjetin elektrik, situatë që ka ngritur frikën për një aksident bërthamor.