Edhe këto ditë vazhdojnë të zbardhen skandalet e Artan Grubit me bizneset e lojërave të fatit. Kështu, së fundi u raportua se kompania “Lotaria e Maqedonisë”, e drejtuar nga ish asistenti i Artan Grubit, Përparim Bajrami, ka marrë me qira objekt prej 2.6 milionë euro nga një firmë, në të cilën ka hise dhe një ish i punësuar tjetër te Artan Grubi – Shaban Amzovski, i cili në anën tjetër është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të “Lotarisë së Maqedonisë”. Pra, gjithçka që ka të bëjë me biznesin e lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut rrotullohet rreth emrit të zëvendëskryeministrit të parë të BDI-së, Artan Grubi. Pas këtyre informacioneve, kur më gjërat kanë dalë kaq shumë sheshit, së fundi ka vepruar edhe policia financiare dhe këtu si duket është ndezur alarmi. Pas kësaj, sipas informacioneve me të cilat disponojmë ne, ish asistenti i Artan Grubit, drejtor aktual i “Lotarisë së Maqedonisë”, , dëshiron të japë dorëheqje, por dikush i bën presion që të mos e bëjë këtë veprim.
Prandaj, ne jemi sot këtu që, në emër të koalicionit AlternAtivA – Lëvizja Besa – Lëvizja Demokratike, ta pyesim publikisht drejtorin e Lotarisë së Maqedonisë, Përparim Bajramin, se a dëshiron ai të japë dorëheqje dhe a po i bën presion shefi i tij, Artan Grubi, që mos ta bëjë këtë? Nëse përgjigjja është pozitive, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë për t’u çliruar nga ky presion, me kusht që ai të bashkëpunojë me prokurorinë.
Për fund, po i drejtohemi opinionit. Qytetarë të dashur, kjo është qeveria LSDM-BDI, një qeveri që suksesin e saj të vetëm e ka në lojërat e fatit dhe bizneset e zeza, që kapin shifra qindra milionëshe. Krejt tjetra, përfshirë edhe temën e integrimeve dhe ndryshimet kushtetuese, është flluskë sapuni, të cilën ata e përdorin për ta mashtruar opinionin.
Fati në këtë fatkeqësi është se pas disa muajsh janë zgjedhjet dhe qytetarët do të çlirohen nga kjo klasë politike e korruptuar dhe kriminalizuar, e cila nesër do të japë llogari për krejt këto të palara.


FRONTI OPOZITAR SHQIPTAR
AlternAtivA
Lëvizja Besa
Lëvizja Demokratike
Shkup, 03.11.2023