Zbulohet për herë të parë gripi i shpendëve në Antarktidë

Shkencëtarët njoftuan se është zbuluar virusi i gripit të shpendëve (H5N1) për herë të parë në Antarktidë, transmeton Anadolu.


Sipas gazetës britanike “The Guardian”, shkencëtarët njoftuan se virusi H5N1 u zbulua në një specie zogjsh në Bird Island, i cili është pjesë e territorit britanik jashtë shtetit.

Shkencëtarët mendojnë se virusi, i cili u ndesh për herë të parë në kontinent, mund të ketë një efekt shkatërrues në popullsinë e pasur të kafshëve të egra të Antarktidës.

Ashley Bennison nga Instituti Britanik i Kërkimeve në Antarktidë (BAS) deklaroi se mostrat e marra nga zogjtë në ishull ishin pozitive në H5N1.

“Kjo është një situatë shumë e trishtueshme. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë speciet në ishull sa më mirë që mundemi, por nuk jemi të sigurt për ndikimin e plotë të virusit në këtë moment”, tha Bennison.

Raporti i vlerësimit të rrezikut i bërë nga Komiteti Shkencor i Kërkimeve të Antarktidës mbi efektet e gripit të shpendëve që arrin në rajon zbuloi se pinguinët, fokat, luanët e detit dhe pulëbardhat në rajon, janë në rrezik.

Një nga autorët kryesorë të raportit, dr. Meagan Dewar tha se përhapja e sëmundjes mund të ketë ndikim shkatërrues në të ardhmen e kafshëve të egra në rajon dhe në krijesat vendase në Antarktidë.