Vaksina e kancerit kalon me sukses testet e para

Vaksina e kancerit ka arritur suksesin e parë. Ugur Sahin dhe Özlem Türeci, bashkëthemeluesit e BioNTech, kanë bërë të ditur se vaksina e tyre e kancerit ka arritur të ndalojë rritjen e tumorit dhe të zvogëlojë madhësinë e tij.


Testet klinike kanë përfshirë një grup prej 44 pacientësh me kancer, te të cilët është vënë re një reduktim i tumorit në masën 30% në të paktën 59% të rasteve.

Rezultatet u bënë publike në Kongresin e Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore (ESMO) të mbajtur në Madrid, bën të ditur Hurriyet Daily.

Në 95 përqind të rasteve, kanceri u stabilizua dhe ndaloi progresin pas vaksinimit. Megjithatë, gjatë administrimit të vaksinës, disa pjesëmarrës përjetuan një rritje të reaksioneve inflamatore të varura nga doza, me efekte anësore si ulja e presionit të gjakut dhe temperatura e ngritur e trupit. Këto u vërejtën te 23 individë. Vaksina për të cilën kanë punuar 15 vjet dy themeluesit e BioNTech pritet të trajtojë rreth 10 000 pacientë me kancer deri në vitin 2030.

Ndërkohë janë duke u testuar barna të reja për trajtimin e kancerit të mushkërive, pankreasit dhe zorrës së trashë. Çifti i shkencëtarëve turq u bënë të njohur në të gjithë globin me vaksinën mRNA që ata e zhvilluan menjëherë pas fillimit të pandemisë COVID-19.