Një sulm vetëvrasës ka ndodhur në Ankara të Turqisë. Ministri i Brendshëm i Turqisë thotë se një kamikaz hodhi veten në erë përpara ndërtesës së ministrisë në kryeqytetin turk, duke plagosur dy oficerë policie.
Ali Yerlikaya tha se dy sulmues ishin përgjegjës për shpërthimet para ndërtesës së ministrisë.


“Rreth orës 09:30, 2 terroristë që erdhën me një automjet të lehtë komercial para portës hyrëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme, kryen një sulm me bombë. Njëri prej terroristëve hodhi veten në erë dhe terroristi tjetër u neutralizua. Nga zjarri u plagosën lehtë 2 policë tanë“, tha ministri.

Sulmi ndodhi në ditën kur në Turqi nis sesioni i ri parlamentar dhe presidenti Rexhep Taip Erdogan do t’i drejtohej ligjvënësve me fjalën e tij. Sakaq, pas shpërthimit masat e sigurisë janë forcuar rreth ndërtesës së parlamentit dhe godinës së Ministrisë së Brendshme.