Në nëntë muajt e fundit të vitit, shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve në komunikacion në rajonin e gjerë të Tetovës janë shpejtësia e papërshtatshme sipas kushteve të rrugës (172 aksidente), kryerja jo e duhur e një veprimi (158 aksidente), mosdhënia e përparësisë (97) dhe kështu me radhë. Gjatë kësaj periudhe, numri i masave të marra për tejkalimin e shpejtësisë maksimale të lejuar ishte më i larti (5714 gjithsej), gjë që vetëm konfirmon se një numër i konsiderueshëm drejtues mjetesh janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në komunikacion për sa i përket shpejtësisë dhe kanë ndikuar negativisht në trafikun e përgjithshëm dhe sigurinë e zonës.


“Situata është e ngjashme edhe në rajonin e Gostivarit, ku në nëntë muaj janë shqiptuar 3161 masa për shpejtësi të papërshtatshme, gjegjësisht për vozitje me shpejtësi më të madhe se ajo e paraparë, kryesisht në magjistralen Gostivar-Tetovë-Shkup dhe në rrugën kryesore Gostivar-Kërçovë, por edhe në rrugët rajonale përreth. Ndërsa,rreth 112 nga aksidentet kanë qenë pasojë e shpejtësisë së palejuar, 53 nga veprimet jo të duhura e të tjera”, tha zëdhënësi i SPB – Tetovë, Marjan Josifoski.

Nga MPB-ja e Tetovës thonë se do të vazhdojnë me aktivitete të vazhdueshme në planin e zbulimit dhe sanksionimit të shoferëve me shpejtësi të madhe, sepse pikërisht shpejtësia e papërshtatshme pothuajse në shumicën e aksidenteve ka rezultuar me pasoja shumë të rënda për pjesëmarrësit në trafik dhe në dëme të mëdha materiale.

Nga aty, sërish u apelohet drejtuesve të mjeteve që t’u përmbahen kufizimeve, rregullave dhe rregulloreve në fuqi në lidhje me shpejtësinë e lejuar sipas Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor.Pressonline.al