Pse historitë e ndaluara të dashurisë janë kaq tërheqëse e të romantizuara

Një nga ‘hit’-et më të klikuara së fundmi është kënga “Dashni Ilegale” e reperit Matolale, një këngë e cila ka pushtuar rrjetet sociale, ku të rinjtë ‘adhurojnë’ historinë që trajtohet në tekst: vajza që dashurohet me djalin kriminel me synim kryesor paranë e që mundohet të ruajë balancën mes dashurisë e pasurisë.


Teksa nuk është hera parë që trajtohen tematika të tilla në këngë, në filma e kudo në media – qoftë në Shqipëri apo ato ndërkombëtare – duket se egziston një tendencë e të romantizuarit të dashurisë ndaj të gabuarës, një tendencë që vazhdon të tërheqë të rinjtë.

Por, pse është kaq e himnëzuar dashuria me ‘djalin e keq’, çfarë e bënë kaq intimiduese një histori të ndaluar dashurie?

Në aspektin psikologjik, një nga sugjerimet është se nëpërmjet një personazhi ‘bad boy’, ne mund të shohim pjesët më të errëta të vetvetes; ne pasqyrojmë e kuptojmë më mirë veten tek antagonisti.

Njerëzit janë në thelb egoistë, por të detyruar të sillen më mirë për shkak të ligjeve dhe normave të shoqërisë. Kjo teori sugjeron që ‘djemtë e këqij’ të na tregojnë versionin e vetes që dëshirojmë të jemi dhe ne tërhiqemi shumë nga kjo ide.

Ndërkohë, gratë i duan këta personazhe, sepse ato reflektojnë sjelljet tradicionalisht mashkullore: stoik, I pashëm, i rrëgjuar emocionalisht, me forcë dhe stabil. E kryesisht, në median artistike, historia kthehet më tërheqëse kur ky stereotip kaq ‘tundues’ i mashkullit do të zbutet e do të shkrihet pranë femrës që ai dashuron, një vajzë e veçantë që i fiton zemrën dhe e kthen atë në arketipin e të dashurit të mirë! Vajzat entuziasmohen pafund nga ideja se një mashkull do të ndryshojë në mënyrë që të meritojë dashurinë e saj.

Një aspekt tjetër është edhe fakti se grate ndihen të mbrojtura nga djali ‘i keq’. Ato shpesh bien në dashuri me djem të ashpër, me shpërfilljen e tyre për normat sociale dhe gatishmërinë për të përshkallëzuar shpejt zhgënjimin në armiqësi, kërcënime dhe agresion. Ato dëshirojnë të kenë dikë në jetën e tyre që është mjaft i fortë për t’u përballur me botën.