Pse duhet t’i pastroni me ujë bananet para se t’i hani

Për shumicën prej nesh është e pamendueshme të mos i lajmë frutat që nuk i qërojmë, por ajo që dihet më pak është se edhe frutat, lëkurat e të cilave nuk i hamë, si bananet apo shalqinjtë, duhet të lahen para se t’i qërojmë.


Ekspertët e sigurisë ushqimore thonë se frutat duhet të lahen edhe ATO me lëkurë më të trashë. Tamika Sims, drejtoreshë e Këshillit Ndërkombëtar të Informacionit për Ushqimin, deklaron se bananet dhe frutat me lëvozhgë që nuk i hamë duhet të lahen nën ujë të pastër.

“Kjo është një praktikë më e mirë në trajtimin e sigurt të ushqimit për të minimizuar transferimin e papastërtive ose mikrobeve që mund të jenë në lëkurë në brendësi të frutave që keni ndërmend të konsumoni,” thotë Sims.

Gjegjësisht, papastërtia mund të jetë e dukshme në lëkurë, por pesticidet apo mikrobet si salmonela nuk janë. Kjo është arsyeja pse Sims thotë se të gjitha ushqimet duhet të lahen para konsumimit, dhe kjo vlen edhe për ushqimet nga bujqësia organike.

Lëvoret e bananes dhe produktet e tjera me një shtresë të trashë janë po aq të ndjeshme ndaj baktereve sa frutat dhe perimet më të buta me lëkurë më delikate.

Për shembull, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave gjeti Listeria dhe Salmonella në lëkurën e avokados.

Edhe pse është më e vështirë që bakteret të arrijnë brenda, në momentin që e prisni frutin me thikë, mund të kontaminoni pjesën e ngrënshme. Për këtë arsye është e nevojshme larja e çdo lloj fruti para konsumimit, sepse në këtë mënyrë zvogëlohet rreziku i infektimit.