Osmani-Berdimuhamedov: Qendra e OSBE-së në Ashgabat ofron ekspertizë dhe burime për të avancuar më tej reformat në Turkmenistan

Bashkëpunimi OSBE-Turkmenistan, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal i vendit, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e mjedisit jetësor ishin temat kryesore të bisedës ndërmjet Kryesuesit të OSBE-së dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe Presidentit të Turkmenistanit, Serdar Berdimuhamedov.


Takimi Osmani-Berdimuhamedov u zhvillua në Ashgabat në kuadër të vizitës në Azinë Qendrore, një nga rajonet kyçe për OSBE-në në programin e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën.

“Qendra e OSBE-së në Ashgabat gëzon bashkëpunim të shkëlqyeshëm me institucionet qeveritare dhe agjencitë shtetërore, si dhe me shoqërinë civile. Ekspertiza dhe burimet që posedon mund të kontribuojnë në avancimin e mëtutjeshëm të reformave të brendshme, veçanërisht në fushat e qeverisjes së mirë, mbrojtjes së mjedisit, fuqizimit ekonomik të grave, luftimit të dhunës në familje dhe barazisë gjinore”, theksoi Osmani në takim.

Osmani dhe Berdimuhamedov diskutuan edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, si dhe për rezolutën e Kombeve të Bashkuara të iniciuar nga Turkmenistani vitin e kaluar, e cila e shpalli Azinë Qendrore zonë të paqes, besimit dhe bashkëpunimit.

Një nga sfidat që prek rajonin më të gjerë të OSBE-së janë ndryshimet klimatike dhe ballafaqimi me to, e cila qëndron lartë në agjendën e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, theksoi Osmani, është emëruar një Përfaqësues Special për Ndryshime Klimatike, që paraqet një qasje të re, për herë të parë në historinë e OSBE-së, duke ofruar mbështetje politike për angazhimet e OSBE-së.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se ndryshimet klimatike ndikojnë në sigurinë e përgjithshme në rajonin e OSBE-së dhe ky ndikim mund të zbutet përmes një reagimi të përbashkët rajonal”, tha Osmani në takim.

Osmani e përshëndeti kontributin aktiv të Turkmenistanit në zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike duke harmonizuar punën e porteve kyçe të vendit me praktikat më të mira ekologjike, për të cilat porti Turkmenbashi mori certifikatë për eko-portë.