Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të enjten i kërkoi Izraelit të llogarisë karburantin si një furnizim të nevojshëm për jetë pas vendimit të vendit për të mos bllokuar hyrjen e ujit, ushqimit dhe ilaçeve në Gaza nga Egjipti.


Duke përshëndetur vendimin e marrë të mërkurën, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në një konferencë shtypi në Gjenevë se karburanti nevojitet gjithashtu për gjeneratorët spitalorë, ambulancat dhe impiantet e shkripëzimit.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të shtojë karburant në furnizimet e nevojshëm për jetë që lejohen të hyjnë në Gaza”, tha Tedros.

Duke vënë në dukje se kamionët e OBSH-së janë të ngarkuar dhe gati për të shkuar, ai tha se po punojnë me Shoqatat e Gjysmëhënës së Kuqe të Egjiptit dhe Palestinës për të dërguar furnizimet në Gaza sapo të hapet kalimi Rafah, me shpresë, nesër.

Lidhur me humbjen e jetëve në sulmin e fundit ajror vdekjeprurës në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gazën veriore, i cili vrau qindra dhe plagosi shumë të tjerë, ai tha se toleranca ndaj sulmeve të tilla nuk do të jetë një opsion.

“Bomba që goditi Spitalin Al Ahli në qytetin e Gazës të martën mbrëma, dhe humbja e jetëve që shkaktoi, pavarësisht se kush ishte përgjegjës, nuk mund të tolerohet. Plumbat dhe bombat nuk janë zgjidhja për këtë situatë”, tha Tedros.

“Lufta nuk do të sjellë asgjë tjetër përveç shkatërrimit dhe tmerrit, dhe nuk do të bëjë asgjë për ta bërë rajonin më të sigurt – në fakt, do të bëjë të kundërtën”, shtoi ai.

Tedros theksoi se zgjidhja e vetme është dialogu, mirëkuptimi dhe paqja.

Të paktën 471 persona u vranë dhe 342 të tjerë u plagosën në sulmin ajror izraelit në objektin spitalor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Izraeli, megjithatë, ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror. Konflikti filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Gaza, nën bombardime dhe bllokada të rënda, po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.