Keqpërdorën të dhënat e mjekëve për të shitur çaj, një kompani dhe një person nga Maqedonia rrezikojnë të dënohen me gati 7.000 euro

Prokuroria Themelore Publike Shkup në Gjykatën kompetente ka dorëzuar Propozimin për dhënien e urdhëresës ndëshkuese kundër një personi fizik dhe një juridik, të cilët akuzohen për “keqpërdorim të të dhënave personale”.


“I pandehuri 34 vjeçar, si person përgjegjës në personin juridik, në periudhën nga nëntori i vitit 2022 deri në prill të vitit 2023, në kundërshtim me kushtet e konfirmuara të nenit 10 dhe nenit 96 të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, pa pëlqimin e tre mjekëve, në këtë rast të dëmtuar, i ka shfrytëzuar të dhënat e tyre personale – fotografi, emër dhe mbiemër për shitje online të dy produkteve”, citohet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Nga Prokuroria theksojnë se të dhënat personale nga çdo mjek i dëmtuar janë keqpërdorur sikur të ishin duke përdorur autoritetin e tyre profesional t’i reklamojnë dhe rekomandojnë çajet Parazol (Parazol) dhe Hipertea (Hypertea), të cilat në territorin e shtetit importoheshin dhe shpërndaheshin nga personi juridik i akuzuar.

“Intervista dhe pastime të rreme, të ndërmarra dhe të shpërndara në disa ueb faqe dhe rrjete sociale, me pohime shëndetësore dhe rekomandime mjekësore të rreme për këto prodhime të cilat të dëmtuarit asnjëherë nuk i kanë dhënë, i pandehuri i ka përdorur për përdorim të paligjshëm të të dhënave personale dhe marketing direkt”, citohet në kumtesë.

Prokurori publik kompetent i propozoi Gjykatës që t’i shpallë fajtor dhe personin përgjegjës ta dënojë me gjobë të vetme prej 70 gjobave ditore me vlerë të gjobës ditore nga 30 euro në kundërvlerë të denarit, ndërsa personin juridik ta dënojë me dënim të vetëm prej 300.000 denarë.

Sipas propozimit të Prokurorisë, të pandehurit pas aktgjykimit do të duhet t’i kompensojnë shpenzimet e procedurës, ndërsa secili nga mjekët e dëmtuar do të ketë mundësi në procedurë civile të ushtrojë kërkesën pronësore-juridike për dëmin e shkaktuar me keqpërdorimin e të dhënave personale.