David Petraeus, ish-kreu i CIA-s, i cili gjithashtu shërbeu si gjenerali më i lartë i SHBA-së në Irak dhe Afganistan, shprehu shqetësimin për një sulm ushtarak tokësor izraelit në Rripin e Gazës.


Petraeus, duke folur në podkastin “Power Play” të POLITICO, vlerësoi se një sulm tokësor do të zgjaste me vite dhe do të përfshinte luftime të tmerrshme. Në fakt, ai paralajmëroi se fushata e vazhdueshme e bombardimeve të Forcave të Armatosura izraelite do të ishte e përgjakshme.

Petraeus përmendi incidentin e vitit 1993 kur tre helikopterë amerikanë Black Hawk u rrëzuan në kryeqytetin e Somalisë. Atëherë pati luftime të përgjakshme brenda qytetit ndërsa forcat amerikane u përpoqën për të shpëtuar të mbijetuarit.

Sipas gjeneralit amerikan, izraelitët do të përballeshin me një realitet të tillë brenda territorit armik, në rast të një sulmi tokësor.

“Nëse Hamasi është po aq krijues në mbrojtje sa ishte në këtë sulm të tmerrshëm, barbar dhe të papërshkrueshëm, atëherë do të shihni kamikazë, do të shihni mjete shpërthyese të improvizuara, do të ketë prita, kurthe, situata do të ishte shumë e vështirë”, tha ai.

Petraeus tha se përvoja e tij personale e komandimit të ushtrive të përfshira në fushata të dhunshme kundër kryengritjes duhet të shërbejë si një paralajmërim për forcat izraelite nëse ato vazhdojnë me sulme tokësore.

“Është e vështirë për mua të imagjinoj një mjedis më të vështirë se ky, dhe unë isha ai që komandova forcat në një numër operacionesh të mëdha”, tha Petraeus.

“Nuk do të zgjasë një ose dy vite. Zakonisht duhet një dekadë ose më shumë, siç ndodhi në Irak apo Afganistan”.