Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e sotme mori vendim për ndryshimin e Vendimit për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në NATO operacionin – KFOR në Republikën e Kosovës.


Me vendimin, siç njoftoi pres shërbimi i Qeverisë. është paraparë rritje e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në operacionin KFOR në Republikën e Kosovës me dërgimin shtesë të një togu prej 35 personave. Vendimi është marrë në bazë të rekomandimeve të përfaqësuesve të lartë ushtarakë në NATO dhe konkludimet e miratuara në takimin e shefave të shtatëmadhorive të vendeve anëtare të iniciativës për bashkëpunim në mbrojtje, me qëllim të përforcimit të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Për pjesëmarrje në NATO operacionin, dërgohen 70 pjesëtarë të Armatës për periudhën prej gjashtë muajve, llogaritur nga nëntori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2024.

Me këtë ndryshim të Vendimit, numri i përgjithshëm, me të cilin do të marrim pjesë në operacionin KFOR në Republikën e Kosovës, është 101 pjesëtarë të ARM-së.