Rreth 30 persona u plagosën sot kur dy tramvaje u përplasën në qytetin perëndimor të Çekisë, Plzen. Aksidenti ka ndodhur pak pas mesditës në rrugën “Karlovarska”, me pasojë lëndime të lehta të disa pasagjerëve.


Prefekti Rudolf Spotak raportoi se janë plagosur 29 persona, duke saktësuar se “asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të rëndë” dhe se janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Një zëdhënës i policisë tha se dy tramvajet po lëviznin në të njëjtin drejtim. Për një arsye ende të paspecifikuar, tramvaji kryesor ndaloi papritur dhe pasoi përplasja e trenit të dytë.

Shërbimi i tramvajit u pezullua derisa trenat u hoqën nga linja dhe u rivendosën rreth dy orë më vonë. Shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar nga policia.