Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi çlirimin nga pushtuesit rus të fshatit Pishchanivka në rajonin jugor të Kherson, 3 km (dy milje) në lindje të lumit.


Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA tha se trupat ukrainase kishin avancuar deri në 4 km në lindje të lumit.

Ndërkohë, Vladimir Putin këmbënguli disa orë më parë se operacioni i Ukrainës po dështonte.

Ukraina nisi kundërsulmin në jug në qershor, duke synuar të shkëpusë korridorin tokësore të Rusisë me Krimenë, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në 2014.

Kievi synon të arrijë në bregun e detit Azov, duke ndarë trupat ruse në rajon më dysh, gjë që do të shkaktonte mjaft problem me linjat e furnizimit të ushtrisë në këtë rajon.

Kundërofensiva deri më tani ka qenë e ngadaltë, duke sjellë vetëm përfitime të kufizuara territoriale.

Trupat ukrainase kanë bërë një numër sulmesh më të vogla përgjatë lumit Dnipro më parë – por përparimi i fundit i raportuar duket të jetë një përpjekje për të zgjeruar zonën nën kontrollin e tyre në pritje të një operacioni më të madh përtej lumit.

Në raportin e tij të enjten në mëngjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se Rusia kishte kryer sulme ajrore në Pishchanivka në 24 orët e fundit.