Presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim në Tel Aviv të mërkurën shprehu keqardhjen për humbjen e jetëve gjatë sulmeve të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi.


Por ai gjithashtu paralajmëroi izraelitët që megjithëse mund të ndiejnë zemërim, ata nuk duhet t’u erren sytë dhe të konsumohen nga urrejtja si amerikanët pas 11 Shtatorit.

“Unë e paralajmëroj këtë. Ndërsa ju e ndjeni atë urrejtje, mos u konsumoni prej tij. Pas 11 shtatorit, ne u tërbuam në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa kërkuam drejtësi dhe morëm drejtësi, ne gjithashtu bëmë gabime”- tha Biden.

Vendimet e kohës së luftës nuk janë “kurrë të qarta apo të lehta”, u shpreh udhëheqësi amerikan.

“Ka gjithmonë kosto. Por kërkon të jesh i qëllimshëm. Kërkon të bësh pyetje shumë të vështira. Kërkon qartësi rreth objektivave dhe një vlerësim të sinqertë nëse rruga në të cilën po kaloni do t’i arrijë ato objektiva,” shtoi ai.

Biden theksoi gjithashtu se “shumica” e palestinezëve nuk janë me Hamasin.

“Shumica dërrmuese e palestinezëve nuk janë Hamas. Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez. Hamasi përdor të pafajshmit, familjet e pafajshme në Gaza si mburoja njerëzore, duke vendosur qendrat e tyre komanduese, armët dhe tunelet e komunikimit në zonat e banuara. Populli palestinez po vuan gjithashtu shumë”- shtoi ai.

Biden gjithashtu vuri në dukje shpërthimin e së martës në spital në qytetin e Gazës, duke thënë: “Ne vajtojmë humbjen e jetëve të pafajshme palestineze si e gjithë bota. Shtetet e Bashkuara pa mëdyshje janë për mbrojtjen e jetës civile gjatë konfliktit. Dhe jam i pikëlluar me të vërtetë. Jam i pikëlluar për familjet që u vranë apo plagosën nga kjo tragjedi.”