Ambasada e Arabisë Saudite në Bejrut sot u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Arabisë Saudite që të largohen menjëherë nga Libani për shkak të konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit, në të cilin ishte përfshirë edhe Hezbollahu libanez.


“Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Libanit po monitoron nga afër zhvillimin e ngjarjeve aktuale në rajonin e Libanit jugor dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë ndalimin e udhëtimit dhe të largohen menjëherë nga territori i Libanit”, thuhet në deklaratë.

Mediat botërore shkruajnë se ekziston rreziku që konflikti aktual të shndërrohet në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib ka paralajmëruar se një “konflikt serioz rajonal” mund të shpërthejë nëse Izraeli nuk i jep fund sulmeve ajrore në Rripin e Gazës.