Tajfuni “Haikui”, i 11-ti i këtij viti, detyroi 294.100 banorë të evakuohen përkohësisht në provincën Fujian të Kinës lindore, thanë autoritetet.


Tajfuni solli shira të rrëmbyeshëm, duke prekur rreth 1.6 milionë persona në provincë, bëri të ditur Zyra provinciale e Kontrollit të Përmbytjeve dhe Lehtësimit të Thatësirës, citon “Xinhua”.

Pothuajse 10.000 hektarë të mbjella u dëmtuan dhe më shumë se 2500 shtëpi u dëmtuan ose u shkatërruan, duke shkaktuar një humbje të drejtpërdrejtë ekonomike prej 5.05 miliardë juanë (701.5 milion dollarë amerikanë).

Shumë zona bregdetare të provincës patën stuhi të dendura shiu. Reshjet maksimale, 548.9 mm, u regjistruan në qytetin Gaishan, distrikti Cangshan, në kryeqendrën provinciale Fuzhou.

Rreth 60.000 persona u mobilizuan për përgjigje emergjente prej mbrëmjes së të mërkurës.

Huang Zhigang, ekspert në Zyrën Meteorologjike lokale, tha se më shumë shira të rrëmbyeshëm priten në ditët e ardhshme në disa zona të Fujian, të cilat mund të shkaktojnë përrenj malesh, përmbytje të lumenjve dhe fatkeqësi të tjera dytësore.