Rezultatet e hulumtimeve të fundit tregojnë se në njëzet vitet e fundit oqeanet po ndryshojnë gjithnjë e më shumë ngjyrën. Shkak për këtë me shumë gjasa është faktori njerëzor. Nëse një trend i tillë vazhdon, ngjyra e fortë blu e detit, e cila është karakteristike për rajonet tropikale, mund të shihet vetëm në kartolina në disa pjesë të botës.


“Në përgjithësi, oqeanet me gjerësi të ulët janë bërë më të gjelbër gjatë 20 viteve të fundit”, sipas një raporti të botuar në revistën Nature. Simulimet që parashikojnë pasojat e ndryshimeve klimatike në Tokë sinjalizuan vite më parë se oqeanet mund të fillojnë të ndryshojnë ngjyrën, por tani shkencëtarët po e konfirmojnë atë.

“Të shohësh se kjo ndodh në të vërtetë nuk është befasuese, por e frikshme. Dhe këto ndryshime janë në përputhje me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu”, thotë bashkëautorja e studimit Stephanie Dutkiewicz në një deklaratë për Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

Ekspertët vunë re nuanca më të gjelbra duke studiuar imazhet e vjetra satelitore dhe arritën në përfundimin se 56 për qind e sipërfaqes së oqeanit është më e gjelbër se sa ishte në fillim të shekullit.

Megjithëse raporti nuk përmendi një ndikim më të gjerë te njerëzit, studimi zbulon se ndryshimi i ngjyrës së oqeanit ka të ngjarë një shenjë se jeta në det po ndryshon.

“Ne nuk e dimë se çfarë po e shkakton këtë trend. Arsyeja mund të jetë materiali organik, ndryshimet në llojin dhe sasinë e fitoplanktonit… të gjitha këto aspekte mund të ndikojnë në ngjyrën e oqeanit,” tha bashkëautori i studimit Emanuel Bos për EOS Science News, duke shtuar se ai shpreson të zbulojë shkakun e ndryshimet së shpejti.