Rumania ka vendosur të kufizojë hapësirën ajrore në pjesën afër kufirit me Ukrainën, pasi ekziston mundësia që sulmet ruse mbi portet e Danubit mund të sjellin konfliktin në territorin e saj.


Ministria rumune e Mbrojtjes urdhëroi të enjten ndalimin e mjeteve fluturuese me pilotë apo dronë në një distancë 30 kilometra nga kufiri i saj me Ukrainën dhe në lartësi më pak se 4 mijë metra.

Rumania dhe Ukraina ndajnë së bashku një vijë kufitare prej 100 kilometrash përgjatë lumit Danub, deri në pikën ku lumi derdhet në Detin e Zi.

Më 9 shtator në zonën që i takon rumunëve u gjetën fragmentet e një droni të dëmtuar të dyshuar me prejardhje nga Rusia.

Rumania është vend anëtar i NATO-s dhe zv.Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Mirçea Geoana, tha se pjesët e dronit janë prej incidenteve në luftën Rusi–Ukrainë dhe jo një sulm i qëllimshëm nga pala ruse kundrejt Rumanisë.

“Nuk shohim synim nga ana e Rusisë për të provokuar diçka kundër NATO-s dhe veprimet tona shkurajuese tregojnë se forca kolektive është mbrojtja më e mirë. Ky që kemi para nuk është sulm i qëllimshëm kundër një shteti aleat, në këtë rast Rumanisë. Është shumë e rëndësishme ta vizatojmë këtë vijë demarkacioni.

Incidentet, aksidentet mund të ndodhin, kanë ndodhur më parë, mund të ndodhin përsëri në të ardhmen, por para nesh nuk kemi një sulm të qëllimshëm nga Federata Ruse kundër territorit të një shteti aleat,” tha zyrtari i lartë i NATO-s, sipas agjencisë rumune të lajmeve, AGERPRES.