Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spanjë, ku një burrë ka humbur jetën në spital pasi u godit nga një dem gjatë një festivali, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.


Viktima, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u plagos në brinjë nga një dem në festivalin në qytetin Valencias të Pobla de Farnals të shtunën. Ai u dërgua në spital ku dha frymën e fundit pak më vonë.

Një tjetër spanjoll u plagos në këmbë nga i njëjti dem gjatë ndeshjes me dema në rrugët e qytetit dhe është në gjendje të qëndrueshme.

Në këto festivale, demat lihen në rrugët e qytetit, ndërsa njerëzit vrapojnë para tyre, një traditë që zhvillohet në të paktën 1820 qytete në Spanjë çdo vit.

Këto festivale mbledhin çdo vit shumë njerëz, pavarësisht se shumë aktivistë i përshkruajnë ato si të rrezikshme dhe brutale. Vitet e fundit është diskutuar propozimi për ndalimin e tyre.