Kryeministri britanik Rishi Sunak po shqyrton marrjen e masave të ashpra kundër duhanit që do të ndalonin në mënyrë efektive brezin e ardhshëm të blejë cigare, sipas raporteve të mediave lokale.


Burimet kanë zbuluar se kryeministri po shqyrton masa të ngjashme me ato të prezantuara nga Zelanda e Re dhjetorin e kaluar. Këto përfshijnë rritjen e përhershme të moshës ligjore për pirjen e duhanit në mënyrë që duhani të mos i shitet asnjëherë kujtdo të lindur pas 1 janarit 2009.

Gjithashtu mendohet se do të ketë gjoba prej 10 paund për personat që humbasin një takim mjekësor. Ideja u hodh nga kryeministri gjatë fushatës së tij 2022, por duket se është braktisur kur ai mori detyrën vjeshtën e kaluar.

Një politikë e stilit të Zelandës së Re pa duhan do të nënkuptonte një fund të plotë të cigareve për gjeneratën e ardhshme. Gjatë mandatit të ish-kryeministres Jacinda Ardern, Zelanda e Re miratoi ligje për të reduktuar përmbajtjen e nikotinës në produktet e duhanit dhe cigaret mund të shiten vetëm në dyqane të specializuara.

Politikat që po shqyrtohen në MB janë pjesë e një fushate të re të fokusuar te konsumatori nga ekipi Sunak. Këtë javë kryeministri është kritikuar nga disa qarqe për braktisjen e objektivit të partisë së tij për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit.