Rusia do të kthehet në Marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi “në të njëjtën ditë” kur të plotësohen kushtet e Moskës për eksportimin e drithit dhe plehrave të saj në tregun botëror, thotë ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.


– Kur të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të hequr pengesat në eksportin tonë të drithit dhe plehrave artificiale, ne do të kthehemi në zbatimin kolektiv të pjesës ukrainase të nismës së Detit të Zi në të njëjtën ditë – tha Lavrov pas Samitit të G20 në Indi.

Samiti miratoi dje një deklaratë që bën thirrje për “zbatim të plotë, në kohë dhe efektiv për të siguruar dërgimin e menjëhershëm të grurit, ushqimit dhe plehrave nga Rusia dhe Ukraina për të përmbushur kërkesën në vendet në zhvillim”.

Marrëveshja për eksportin e drithërave ukrainase u nënshkrua nën kujdesin e Ankarasë dhe OKB-së verën e kaluar për të siguruar eksportin e drithërave ukrainase përmes porteve ukrainase në Detin e Zi.

Në korrik, Rusia u tërhoq nga marrëveshja, e cila është e rëndësishme për furnizimin me ushqim në botë, me arsyetimin se sanksionet perëndimore bllokojnë aksesin e produkteve të saj bujqësore dhe plehrave në tregjet ndërkombëtare.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha sot se Rusia nuk duhet të margjinalizohet në negociatat për rinovimin e Marrëveshjes për eksportin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi.