Kthimi i mërgatës në tokën mëmë

MERXHAN JAKUPI


Mërgimi i shqiptarëve, gjithnjë e më shumë, si po kalojnë vitet, ka tagrin e vet të shtrenjtë të largimit nga vendlindja. Më së vështiri, për momentin, e ka brezi i vjetër i mërgatës shqiptare, që gjithnjë e më shumë është duke u rralluar. Shumica prej tyre kanë dalë në pension, një numër ka ikur nga kjo jetë, të tjerët, në moshë të shtyrë, të sëmurë, janë duke pritur vdekjen në vend të huaj apo disa me arkivole kthehen në tokën e të etërve, por pa pasardhësit, pa fëmijët, nipat e mbesat e tyre. Ky brez, i frustruar, i zhgënjyer dhe i penduar, lanë mundin dhe djersën e tyre në vendet perëndimore, në Evropë, Amerikë apo Australi. Një numër i mërgimtarëve të moshuar shqiptarë ka një kohë që po varrosen në shtetet ku kanë punuar me familjet e tyre, për shkak të dëshirës së fëmijëve që s’dëshirojnë të kthehen në vendlindje, së paku varrin e prindërve ta kenë afër, për ta vizituar.

ERDHËN PËRKOHËSISHT E MBETËN PËRGJITHËMONË

Brezi i vjetër i shqiptarëve që emigroi diku nga mjedisi i shekullit të kaluar në shtetet perëndimore, u nisën me mendje që të punonin përkohësisht, me shpresën se pas disa vitesh do të kthehen në vendlindjen e tyre, por, mjerisht, mbetën përgjithmonë. Më kujtohet shkuarja ime në mërgim, në Zvicër, para më se katër dekadash, kisha shumë empati për zviceranët. Në qytetin dhe pallatin ku u vendosa të banoj, asokohe shihja imazhe të bukura. Më kënaqnin edhe të moshuarit, të cilët, ashtu qetë shëtitnin nëpër rrugë, trotuare dhe parqe, por më ra në sy se ishin të vetmuar. Vetmia e tyre më shqetësonte. Unë kisha shkuar si një person me edukatë patriarkale, që imagjinonte familjen e bashkuar.

Përballë banesës, në pallatin ku jetoja, ishte një plak zviceran, në moshë të thyer, i quajtur Bauman. Një ditë i thash Baumanit se ne shqiptarët, sidomos familja ime është patriarkale, me tradita për jetë kolektive. Nuk di se si ju e përballoni pleqërinë në vetmi. A nuk është e vështirë të jetoni jashtë gjirit familjar? A nuk ju duket pleqëria një jetë e zbrazur, e mërzitshme dhe melankolike, zoti Bauman? Ai më shikoi gjatë në fytyrë, ngriti vetullat dhe me një buzëqeshje, më tha: “Nuk jam i vetmi që bëj një jetë të këtillë. Dhjetëra mijë pensionistë, pleq e plaka jetojnë në vetmi, të pavarur nga të tjerët, fëmijët e vet, në radhë të parë. Kjo është kultura, qytetërimi perëndimor…”

Z. Bauman vazhdoi të flasë: “Sigurisht dhe ju, nëse vazhdoni të jeni pjesë e këtij qytetërimi, të jetoni në këtë shoqëri, në pleqëri do të jetoni të shkëputur nga fëmijët, nipat dhe mbesat tuaj”.

Fjalët e z. Bauman, në atë kohë, të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, më dukeshin absurde dhe paradoksale. Isha i trishtuar dhe mendoja se nuk do ta pranoja të jem pjesë e këtij qytetërimi e kulture, qoftë të jetë si në parajsë. Më mirë do jetoja në xhungël apo në ferr. Më tej, z. Bauman vazhdoi të rrëfejë se shumë kohë më parë, edhe shoqëritë perëndimore kanë qenë patriarkale dhe tradicionale. Pas revolucionit industrial, filloi transformimi i shoqërisë moderne, liberale dhe urbane. Unë e pyeta z. Bauman se cila shoqëri do të ishte për njerëzimin më sublim e më racional. Ai, duke tundur bastunin, më tha se që në kohën e Greqisë së lashtë, njeriu ka tentuar të jetë i pavarur. Ne jemi si iriqët, nuk mund të jetojmë bashkë, jemi të ndryshëm.

Më vonë mësova se z. Baumani ishte një intelektual i mirëfilltë, që kishte një bibliotekë të pasur. Një ditë, më tha se do të më rrëfejë një anekdotë të Nitsches: “Iriqët asnjëherë s’kishin jetuar së bashku. Një iriq plak dhe i mençur kishte apeluar se dimri që po vinte do të ishte shumë i ftohtë dhe me acar. Mesazhi i iriqit kishte qenë se atë dimër duhej të grumbulloheshin bashkë, që të mos ngordhnin nga të ftohtit. Fjala e iriqit plak e të mençur ishte përcjellë me shumë ovacione e duartrokitje. Mirëpo, sapo kishte ardhur dimri e ata kishin filluar të tubohen pranë-pranë, s’kishin mund të qëndrojnë gjatë kohë, sepse kishin filluar ta shpojnë njëri-tjetrin. Andaj ishin larguar dhe kishin ngordhur nga acari”, tha Bauman, duke më pyetur nëse e kisha kuptuar metaforën Nitsche-s.

Një ditë prej ditësh, para pallatit pashë një autoambulancë. Ishte z. Bauman, duke më përshëndetur me fjalët se po transferohej në shtëpinë e azilit të pleqve, sepse ishte i thyer në moshë dhe nuk mund të kujdesej më tej për veten.

PERPLASJET E QYTETËRIMEVE DHE KULTURAVE

Brezat më të vjetër që ikën në perëndim, si punëtorë me punë të përkohshme, as që imagjinonin se do të mbeteshin aty përgjithmonë, se pasardhësit e tyre do të lëshojnë rrënjë. Ky brez ishte i papërgatitur për ndryshime. Të pavetëdijshëm për të ardhmen e tyre që vinte, në përballje me një kulturë dhe civilizim të panjohur. Nga brezi i parë i dalë në pension, shumica jetojnë dhe banojnë të vetëm, pa familjet e tyre. Disa familje kanë blerë shtëpi dhe jetojnë së bashku me fëmijët. Por, pas disa vitesh, ata mbeten vetë, shkaku i ndërrimit të vendeve të punës ose kontradiktave të tjera familjare. Në fund, duke parë se shoqëritë patriarkale, kolektive e tradicionale vështirë funksiononin dhe të mbijetonin, ky brez mbeti i zhgënjyer, i përbuzur dhe inferior. Shpesh shoh miq, shokë në mërgim, duke u ankuar, dridhur dhe të frikësuar për të ardhmen e tyre. Ata ishin nostalgjikë për të kaluarën, për kohën kur kujdeseshin e sakrifikonin për prindërit e vet. Ata nuk mund të pranonin apo nuk ishin të vetëdijshëm se fëmijët dhe familja e tyre jetojnë në një botë tjetër, në një shoqëri post-moderne, ku jeta është dinamike, në një sistem të tillë vlerash, të konkurrencës, ku të dobëtit do të mbeteshin shumë pas.

* * *

Në të gjitha epokat e historisë së njerëzimit, shumë qytetërime kanë lindur, kanë zotëruar dhe, në fund, janë zhdukur. Sipas filozofit francez, Rene Dekard, asgjë nuk është e përhershme, e pandryshueshme dhe e pavdekshme. Ashtu dhe shumë qytetërime dhe civilizime kanë lindur, janë zhdukur dhe kanë ardhur qytetërime të tjera.

Shqiptarët janë të fundit që akoma nuk janë shkëputur nga reliktet e të së kaluarës, traditat sociale e kulturore, kodet, ritet dhe shoqëria tradicionale, puritane dhe arkaike. Së këndejmi, transformimi dhe evoluimi te mërgata shqiptare në perëndim, jashtë trojeve shqiptare, është e dhimbshme. Tranzicioni ose transformimi i shoqërisë është në një kaos. Shoqëria shqiptare, si në perëndim, po ashtu dhe në trojet shqiptare, është duke kopjuar, imituar shoqëritë moderne, liberale dhe urbane. Shqiptarët sapo dolën nga një sistem monist e autoritar, për në demokraci, pluralizëm dhe ekonomi të tregut të lirë kapitalist, andaj e kanë tepër të vështirë.

Ishte brezi i parë që lindi dhe u përplasë mes dy botëve, dy qytetërimeve. Ky brez bartë peshën më të rëndë mbi shpatulla, duke luftuar “me shpatë në dorë”, mes dy botëve, dy qytetërimeve e kulturave, mes njeriut tradicional rural dhe njeriut post-modern dhe urban. Derisa koha po kalon, ky brez gjithnjë ndihet inferior edhe ndaj fëmijëve, nipave dhe mbesave të tyre.

Më kujtohet një histori e brishtë dhe e dhimbshme e një mikut tim. Viteve të 60-ta, si bari që ishte, i la delet e fyellin dhe iku bashkë me familjen në SHBA, në vendin e ëndrrave të mëdha. Kur u rritën fëmijët e tij, vajza nga Nju-Jorku shkoi të jetojë në Çikago, ndërsa djali në Alaska. Miku im, pas vdekjes së shoqes, në pleqëri u kthye në vendlindje, i frustruar, i zhgënjyer dhe i sëmurë. Jeta është me vuajtje dhe dhimbje, pa marrë parasysh se ku jetojmë.

Sipas disa sociologëve dhe psikologëve, shumica e emigrantëve nga Ballkani, Lindja dhe Afrika, si refugjatë, janë përballur me shumë peripeci, dhimbje dhe vështirësi për t’u integruar dhe përballuar me qytetërimin modern perëndimor. Ata përballen me shumë probleme në familje dhe me fëmijët e tyre. Kanë dhunë në familje. Emigrantët janë klasë më e ulët, punojnë punë më të rënda dhe jetëgjatësia e tyre është më e shkurtër. Ky fenomen ka qenë edhe tek brezi i parë i mërgimtarëve shqiptarë që kanë përjetuar gjera të tmerrshme. Ata nuk mund t’i përballonin martesat e përziera të fëmijëve të tyre me pjesëtarë të popujve të tjerë dhe pësonin trauma të ndryshme shpirtërore.