Krahas mbishkrimit në shqip e serbisht, Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc, të enjten në mëngjës iu shtua edhe një mbiemër i ri.


Përmes një panoje që e vendosën aktivistët shqiptarë, ajo u bë shtëpi e diskriminimit. Kjo si protestë për vendimin që një serbe nga Vranja të merret në punë si mjeke, në konkursin e këtij spitali derisa shtatë kandidatë shqiptarë u injoruan.

Politikanët e Luginës e shohin këtë rast si synim të Beogradit për ta zbrazur këtë komunë nga shqiptarët. Këta nuk do të hatëroheshin aq shumë, nëse në punë do të pranohej një serb ose rom i Bujanocit.

Aplikantët që pretendojnë se u dalluan etnikisht, po i frikësohen kësaj mendësie. Ajo që ndodhi me konkursin shqetësoi edhe pacientët.

Nevojën për punësim të stafit, nga radhët e komunitetit shqiptar, e theksoi edhe një punonjës shëndetësor.

Me diskriminime të tilla shqiptarët thonë se përballen në krejt institucionet publike gjithandej Lugines së Preshëvës.