Mar Galcerán, një grua me sindromën Down, do të marrë postin e deputetes rajonale në Valencia të Spanjës javën e ardhshme. Kjo u bë e ditur sot nga guvernatori i këtij territori, Carlos Mazón dhe nga Partia Popullore. 46-vjeçarja Galcerán ishte kandidate për PP në zgjedhjet lokale të 28 majit. Fillimisht, ajo nuk ishte në mesin e të zgjedhurve, por pas një sërë nominimesh midis atyre që e paraprinë në listë, u arrit tek emri i saj.


“Do të punoj për t’i shërbyer qytetarëve. Roli im si deputete është t’i shërbej shoqërisë”, deklaroi ajo, e cila aktualisht mban detyrën e sekretares për Zonën e Shërbimit për Personat me Aftësi të Ndryshme të PP Valenciane.

“Duhet ta kapërceni veten, t’i vendosni vetes synime dhe objektiva sepse në fund, pavarësisht nga kostoja, me këmbëngulje gjithmonë mund t’i arrini ato”, tha Galcerán.

Ajo studioi shkencat e edukimit në Shkollën Altaviana të Mikpritjes dhe Turizmit në Valencia dhe ka punuar në shërbimin publik për 26 vjet, trembëdhjetë vjet në mënyrë të përkohshme në Departamentin e Presidencës së Generalitat Valenciana dhe që nga viti 2010, me një pozicion të ri në Departamentin e Sigurimeve Shoqërore, në Departamentin e Barazisë dhe Gjithëpërfshirjes Politike dhe aktualisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shëndetit Publik.

Galcerán prej vitesh është anëtar e PP-së, duke e nisur karrierën e saj në Nuevas Generaciones në një moshë shumë të re. Për më tepër, ajo kryesoi Asindown Comunitat Valenciana për katër vjet, duke u bërë presidentja e parë e organizatës Valenciane për të sëmurët me sindromën Down.