Ushtria kineze i ka nisur stërvitjet ushtarake përreth Tajvanit si një “paralajmërim i ashpër”, për shkak të, siç e quajti, një marrëveshjeje të fshehtë mes “separatistëve dhe forcave të huaja”, tha Ministria e Mbrojtjes e Kinës.


Stërvitjet e ushtrisë kineze po mbahen vetëm pak ditë pasi zv/presidenti i Tajvanit, Lai, i vizitoi Shtetet e Bashkuara. Partia Komuniste në pushtet e Kinës pretendon se Tajvani demokratik është pjesë e territorit të vet dhe nuk ka të drejtë të ketë marrëdhënie me jashtë.

Shi Yi, zëdhënës i ushtrisë kineze, tha në një komunikatë për media se ushtrimet ushtarake përfshinë bashkërendimin e anijeve dhe aeroplanëve, si dhe aftësitë e tyre për ta marrë kontrollin e hapësirave ajrore dhe detare.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se forcat e saj vërejtën 42 aeroplanë ushtarakë kinezë. Sipas saj, 26 prej tyre e kaluan vijën e mesme të Ngushticës së Tajvanit, një vij kufitare jozyrtare mes dy vendeve.