Qendra Kombëtare e Uraganeve në Shtetet e Bashkuara ka njoftuar për “përmbytjeve katastrofike” që rrezikojnë të godasin shtetin meksikan ‘Baja California’, si dhe pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara deri të hënën, si pasojë e uraganit ‘Hilary’. Të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes pjesa qendrore dhe perëndimore e gadishullit ‘Baja California’ u përfshi nga erëra të forta. Pjesë të Kalifornisë Jugore mund të shkëputen nga rrjeti i furnizimit me ushqime dhe energji elektrike për shkak të rrëshqitjeve të shkëmbinjve dhe rrjedhjes së baltës nga cikloni. Teksa stuhia lëviz në veri, shiu më i madh dhe era më e fortë të dielën mbrëma do të synojë pjesë të Nevadës, Jutas perëndimore dhe Idahos. Zyrtarët e lartë të qarkut San Diego kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme përpara ndikimeve të parashikuara të “Hilary”. Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se Uragani “Hilary” nga një stuhi e fortë e kategorisë 4 u dobësua në kategorinë 1. Stuhia pritet të dobësohet më tej dhe të arrijë në Kaliforninë Jugore si një stuhi tropikale, e para që nga 25 shtatori i vitit 1939. Megjithatë, ajo ka potencialin për tornado të izoluar nëpër pjesë të Kalifornisë Jugore. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes maksimal.


“Në kushte të tilla potencialisht të rrezikshme, me mot të paqëndrueshëm duke përfshirë erëra të forta, përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike, rrëshqitje të dheut, është e rëndësishme që të shfrytëzohet mundësia që njerëzit të ndërmarrin hapa të nevojshëm për të qenë të sigurt. Nëse jetoni në një zonë që është prekur nga Uragani Hillary, ju lutemi qëndroni larg rrugës, qëndroni në shtëpitë tuaja. Megjithatë, nëse ju duhet patjetër të udhëtoni, duhet të jeni vigjilentë, të jeni të vetëdijshëm për situatën, të keni kujdes nga rrëshqitja e dheut, rrëzimi i pemëve, përmbytjet, erërat e forta,” tha Ceto Ortiz, policia e Kalifornisë.