Qendra Kombëtare e Uraganeve në Shtetet e Bashkuara ka njoftuar për “përmbytjeve katastrofike” që rrezikojnë të godasin shtetin meksikan ‘Baja California’, si dhe pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara deri të hënën, pasojë e uraganit ‘Hilary’.


Uragani po lëviz duke u shoqëruar me erëra me fuqi maksimale deri në 200 kilometra në orë. Të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes pjesa qendrore dhe perëndimore e gadishullit ‘Baja California’ do të përfshihet nga erërëra të forta.

Sipas një analize nga NBC News’ Climate & Weather Unit, pjesë të Kalifornisë Jugore mund të shkëputen nga rrjeti i furnizimit me ushqime dhe energji elektrike për shkak të rrëshqitjeve të shkëmbinjve dhe rrjedhjes së baltës nga cikloni tropikal Hilary këtë të dielë.

Mbeturinat nga incidente të tilla mund të bllokojnë rrugët për orë e madje edhe ditë.

Autoritet kanë paralajmëruar për rrezikun që paraqet uragani për gadishullin e ‘Baja California-s’, zonat që shtrihen në afërsi të kufirit Kaliforni-Meksikë, si dhe ishullin Katalina në Kaliforni.

Ndërsa “Hilary” lëviz sot përtej kufirit SHBA-Meksikë, era dhe shiu më i keq i tij dukej se synonte zonat e brendshme, duke përfshirë malet dhe shkretëtirat, si dhe pjesë të qarqeve Imperial, Riverside dhe San Bernardino. Malet nga kufiri deri në vargmalin e San Bernardino, si dhe qytetet e shkretëtirës si Palm Springs dhe Coachella, ishin nën vëzhgimin e përmbytjeve deri të hënën, tha Shërbimi Kombëtar i Motit. Shtrëngatat ishin të mundshme. Teksa stuhia lëviz në veri, shiu më i madh dhe era më e fortë të dielën mbrëma do të synojë pjesë të Nevadës, Jutas perëndimore dhe Idahos.

Paralajmërimet për uragane lëshohen zakonisht 36 orë përpara se ai të godasë zonat në rrezik.

San Diego shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Zyrtarët e lartë të qarkut San Diego kanë shpallur këtë të shtunë gjendjen e jashtëzakonshme përpara ndikimeve të parashikuara të “Hilary”. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme erdhi menjëherë pas deklaratës së guvernatorit Gavin Newsom, duke i krijuar hapësirë qeverisë së qarkut të ketë akses në burimet e nevojshme për t’iu përgjigjur emergjencave dhe dëmeve që lidhen me stuhinë.

Nga ana tjetër, rojet e plazhit të Long Beach mbushën thasë me rërë për të krijuar barrikada për mbrojtjen e banorëve përpara uraganit “Hilary”.

Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi të shtunën se Uragani “Hilary” nga një stuhi e fortë e kategorisë 4 u dobësua në kategorinë 1. Stuhia pritet të dobësohet më tej dhe të arrijë në Kaliforninë Jugore si një stuhi tropikale, e para që nga 25 shtatori 1939, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Megjithatë, ajo ka potencialin për tornado të izoluar nëpër pjesë të Kalifornisë Jugore.