Tetë burra dhe një grua në garën politike të ‘drzhavës Severna’!

Shkruan: Medai Shaholli


Këta janë 8 burrat e dheut dhe një grua, liderë të partive shqiptare që do të konkurojnë së shpejti mes tyre, ku do të performojnë secili më vete sesa vlejnë në garën e zgjedhjeve parlamentare të ‘drzhavës Severna’.

Nëntë subjekte politike në përballjen e madhe të luftës për mbijetesë, ku secila nga ato do përpiqen t’i shpjegojnë shqiptarëve përse duhet votuar njërën nga ato dhe jo të tjerat.

Ajo që bie në sy është se të nëntë subjektet janë pozicionuar ideologjikisht djathtas apo nga qendra e djathtë dhe nuk ka asnjë me orientim majtas, megjithse me VV e Albin Kurtit disa nga këto subjekte duan të fotografohen dhe të duken patriotë por, jo me idetë dhe ‘metodat revolucionare’ të VV me të cilat ajo erdhi në pushtet.

Disa nga këto subjekte mbështetën Albini Kurtin dhe qëndrimet tij gjatë gjithë kohës në Kosovë, por jo programin politik të së majtës dhe aderimin e VV në Internacionalen Socialiste, pasi sipas logjikës dhe mentalitetit të tyre provincial socialdemokratët dhe e majta janë ‘komunistë të kamufluar’, ndërsa e djathta gjithmonë sipas tyre përfaqëson frymën naconaliste dhe atdhetarët.

Në këtë situatë është paradoksale të mendosh sesi të gjitha subjektet e djathta do të mbrojnë shtresën e ulët kur dihet që shumica e shqiptarëve të Severnës janë shtresë e ulët!

E djathta borgjeze si rregull dhe parim mbron interesat e shtresës së lartë e cila në ‘drzhavën’ tonë përbën vetëm 1% të popullsisë shqiptare, ndaj kush do t’i mbrojë interesat e shtresës së ulët dhe të mesme që përbëjnë afro 99% të saj?!

Të nëntë partitë politike shqiptare në garën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen pas disa muajve, do të kërkojnë në çdo fshat dhe qytet votën e tyre shtresës së ulët por nuk do të merohen shumë për t’i mbrojtur nga borgjezët e saj në Shkup!

Pra, i pasuri dhe oligarku i së djthtës do t’i kërokojë fshatarëve votën me zotimin dhe premtimin për t’i ndihmuar ato me politika sociale që janë program i së majtës por, ku ta di fshatari që këta të djathtët janë borgjezë si nga shpirti edhe nga qëndrimet dhe nuk japin pesë pare për bujqit dhe blegtorët varfanjakë të fshatrave tona.

Ata nuk e mbrojnë dot bujkun dhe blegtorin shqiptar sepse nuk derdhin para kot për varfanjakët, pasi oligarku dhe borgjezi nga partia e djathtë nuk e kanë për qejf solidaritetin, i cili nuk është në programin dhe në shpirtin e së djathtës.

Ndaj, që nga fillimet e pluralizmit subjektet tona politike u rreshtuan djathtas, por që votat i marrin nga shtresa e ulët dhe e mesme pasi nuk ka shtresë të lartë të pasurish, ku vetëm 1% e popullatës shqiptare janë të pasur që përfaqësojnë borgjezinë shqiptare.

Për tri dekada me radhë subjektet tona politike ‘rrahën gjoks’ për kauzën kombëtare si përfaqësues të nacionalizmës dhe së djathtë atdhetare, por që e qullosën dhe ia lanë çështjen shqiptare në duar të tutelës ‘drzhavë’, e cila ka mballusur një nen në kushtetutë për gjuhën shqipe si gjuhë e bashkësisë që flet atë gjuhë si nomadë pa identitet.

Këta trima të së djathtës nacionaliste për tri dekada rresht e mbytën çështjen kombëtare përmes një stisje të një nofke të turpit për shqiptarët në kushtetutë si 20%, duke marrë si shpërblim nga një ‘kockë mishi’ të ndenjur që shpërndan qeveria për ‘qentë e oborrit të saj’.

Këta janë trimat tanë borgjezë të vegjël që shiten si të djathë dhe nacionalistë që shesin pordhë në mbrojtje të kauzës nacionale, ku kanë çimentosur prej njëzetë vitesh në kushtetutë identitetin nacional të popullit shqiptar si shifër pa emër.

Si do t’i mbrojnë interesat nacionale kjo e djathtë e shkarë dhe hileqare e cila sheh vetëm interesat e saja klanore sesi të pasurohen nga bashkëqeverisja apo në opozitë si ‘qentë e rrugës’, duke zhvatur kockat si shpërblim i besnikërisë ndaj shtetit dhe pushtetit dhe jo për interesat nacionale për të cilat flasin vetëm gjatë fushatave zgjedhore?

Cila nga këto partiçka është e besueshme se mbron interesat kombëtare kur ato janë rreshtuar në një linjë me premierin Dhimo, për t’i votuar ndryshimet kushtetuese duke e lënë nofkën e përdhosjes së identitetit nacional të pandryshuar në kushtetutë, për hir të integrimeve europiane?

Për këta trimat e dheut nuk janë të rëndësishme mbrojtja dhe ruajtja e identitetit nacional por, interesat dhe leverditë e përfitimit financiar nga qeveria si anëtare e koalicionit qeveritar apo në opozitë, me ato pak kocka që hedh ajo ‘qenve të saj’ për t’ia mbyllur gojën të mos lehin më rrugëve që mos t’i zgjojnë shqiptarët nga gjumi i rëndë letargjik.

Këta janë rrufjanët e së djathtës nacionale dhe jo të djathtët e çështjes nacionale, që nuk i lidh asgjë me kombin, pasi u dëshmuan për tri dekada që nuk përfaqësojnë më shqiptarët por grupet e tyre të interesit.