Në Komunën e Strugës u mbajt seanca e parë e këshillit pas shpalljes së kryetarit Merko person Non Grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.


Këshilltarët e ASH-së, Besës, Alternativës dhe VMRO-së lëshuan seancën, ndërsa në emër të qytetarëve të Strugës nënshkruan një deklaratë në të cilën thuhet se distancohen nga çfarëdolloj veprimi i Merkos dhe kërkojnë që ai urgjentisht të jap dorëheqje. Mirepo kjo kerkese nuk u fut ne rend të ditës.

“Në mënyrë procedurale kërkova që në rend dite të futet përsëri miratimi i kësaj deklarate, ose thjeshtë ne si këshilltarë të distancohemi sepse së fundmi ne si të deleguar të popullit pasi populli është i pastër dhe ne duhet patjetër të jemi të distancuar dhe duhet të tregojmë pastërtinë dhe qëllimet tona reale. Një gjë e tillë u mbivotua nga ana e shumicës BDI-së dhe LSDM-së gjë që ishte shkak për ne te gjithë të opozitës ASH, Alternativa, Besa dhe VMRO së bashku ta lëshojmë seancën”, tha Nijazi Xhumkar-kordinator i këshilltarëve të ASh-së.

Kjo deklaratë është mbështetur edhe nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së të cilët përveç që kërkojnë përgjegjësi nga Merko, kërkojnë që përgjegjësi të mbajnë edhe ata këshilltarë që kanë votuar vendimet joligjore të kryetarit të komunës.

“Ne si grup këshilltarësh nga VMRO DPMNE insistojmë në përgjegjësi efektive dhe jo deklarative, jo vetëm te kreu të Komunës së Strugës, por edhe te të gjithë këshilltarët që në periudhën e kaluar me vetëdije dhe verbëri i përkrahin të gjitha idetë, iniciativat dhe propozimet e kryetarit të komunës edhe pse e dinin se ata vendime ishin kundër rregulloreve ligjore, as ata këshilltarët nuk duhet të jenë të amnistuar nga përgjegjësia”, tha Alen Dereban- koordinator i grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së.