Shkencëtarët më në fund kanë zgjidhur misterin e vendit të quajtur “kopshti i oktapodeve”, ku jeton grupimi më i madh i këtyre gjallesave detare në planet. Ata u pikasën për herë të parë në Kaliforni në vitin 2018, rreth 2 milje nën sipërfaqen e oqeanit, që njihet si zona e mesnatës për shkak të errësirës së përhershme. Një hapje hidrotermale në fundin e detit nga ku rrjedhin lëngje të ngrohta dhe të pasura me kimikate është çelësi që tërheq oktapodët të shumojnë vezët e tyre, shpjegojnë shkencëtarët. Temperatura e ujit përgjithësisht në atë thellësi është 1.6 gradë por në disa kanale të kopshtit të oktapodit arrin rreth 11 gradë Celsius.


Ata besojnë se ngrohtësia nga burimet termale rrit metabolizmin e oktapodëve femra dhe vezëve, duke reduktuar kohën e nevojshme për inkubacion dhe rrezikun që vezët të hahen nga grabitqarët. Në shumë zhytje 14 ditore të zhvilluara mes viteve 2019-2022 dhe me 12 mijë e 200 imazhe të grumbulluara, ekspertët arritën në përfundimin se vendi përdoret vetëm për shumim, jo për jetesë afatgjatë. Pasi lëshojnë vezët, oktapodet femra notojnë larg, për këtë janë cilësuar edhe si prindër vetëmohues. Studiuesit kanë dokumentuar një total prej katër kopshtesh oktapodësh në det të thellë deri më sot, dy në brigjet e Kalifornisë Qendrore në malin Davidson, dhe dy në brigjet e Kosta Rikës.