Rusia ka ndaluar hyrjen në vend të 54 shtetasve britanikë dhe personave që punojnë për organizatat e Mbretërisë së Bashkuar në shenjë hakmarrje për sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar ndaj qytetarëve të saj, ka deklaruar ministria e saj e jashtme.


Lista përfshin Sekretaren e Kulturës Lucy Frazer dhe kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan, teksa një numër gazetarësh nga BBC, Daily Telegraph dhe Guardian janë gjithashtu në listë.

Ministria e Jashtme ruse tha se masa ishte në përgjigje të “zbatimit agresiv nga Londra të një kursi armiqësor anti-rus”.

Frazer u sanksionua për “lobim aktiv për izolimin sportiv ndërkombëtar të Rusisë”, ndërsa Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen Annabel Goldie u përshkrua si “përgjegjëse për furnizimin me armë në Ukrainë”.