Trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore duket se kanë ndryshuar taktikën në dërgimet e paligjshme të emigrantëve që synojnë të mbërrijnë në Britani, pas ndryshimeve të fundit ligjore, ku çdo i ardhur me gomone automatikisht riatdhesohet në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes së dhjetorit të vitit të kaluar mes qeverisë shqiptare dhe asaj britanike.


Trafikantët, sipas medias britanike, tashmë në reklamimet e tyre në Tik-Tok ofrojnë rrugë të reja të sigurta përmes Spanjës me tragete, duke përdorur ikona dhe emoiji kamionesh, tragetesh dhe atraksionit turistik London Eye, që ndodhet në buzë të lumit Tamiz.

Grupet e trafikantëve po ofrojnë trafikimin me kamione nga qyteti port spanjoll i Santanderit drejt portit anglez të Portsmouth-it, për 14 mijë sterlina për person me një udhëtim më target, krahasuar me 3 mijë e 500 deri ne 5 mijë sterlinë për kalimet me gomone. Kjo rrugë e re nënkupton se migrantët kanë më pak gjasa të identifikohen dhe depërtohen drejt Shqipërisë, ndërkohë që rruga e re promovohet si më pak e rrezikshme që shmang edhe kontrollet e rrepta kufitarë në Britani, pasi nëse kapen ata e dinë se kërkesat për azil do u refuzohen andaj nuk regjistrohen fare pranë autoriteteve të emigracionit dhe Home Office-it.

Ndërkohë mësohet se ne gomonet që u përfshinë në tragjedinë e fundjavës në La Mansh kishte edhe shqiptare, por që janë shpëtuar. Sakaq, Tik Tok-u njoftohet se ka hequr reklamimet dhe llogaritë në këtë media sociale, por mesa duket ato ende shihen. Muajin e kaluar një grup kriminal ofronte shërbimin all inclusive të quajtur “Asylum Express”, për 12 mijë sterlina si rrugë drejt Britanisë, ku përfshihej kontakimi me një kompani avokatësh të emigracionit me të mbërritur në Angli, të cilët do i orinetonin se çfarë do duhet të thonin në Polici dhe në zyrat e emigracionit kur të aplikonin për azil. Së fundmi, qeveria britanike ka filluar identifikimin dhe hetimin e disa zyrave ligjore që ndihmojnë emigrantët në bërjen e aplikimeve të rremë për azil.