Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) tashmë disa herë e ka njoftuar opinionin se përzgjedhja e kompanisë për adaptimin e sallës “Boris Trajkovski” për nevojat e takimit ministror të OSBE-së është bërë sipas kriterit të çmimit më të ulët, qëndron në demantin e MPJ-së ndaj konferencës për shtyp të VMRO-DPMNE-së.


Duke i marrë parasysh ofertat e mbërritura, ministria siç theksojnë prej atje, ishte e detyruar ta përzgjidhte ofertën më të lirë, dhe nga katër ofertuesit, kompania e përzgjedhur kishte çmimin më konkurrues të ofruar sipas sasive të pritshme të parashikuara në specifikacionin teknik, respektivisht: Eurovia – 93.746.070 den. (ofertuesi i zgjedhur); kompania e dytë – 120.668.981 den; kompania e tretë – 134.015.461 den; kompania e katërt – 374.353.297 den.

“Qëllimi i spekulimeve të vazhdueshme është i dukshëm: së pari, njollosja e ngjarjes më të madhe të politikës së jashtme në vend qysh nga pavarësia – Takimi ministror i OSBE-së në dhjetor, kur pritet që në vendin tonë të mbërrijnë dhjetëra delegacione të nivelit të lartë nga e gjithë bota, të udhëhequr nga Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së; dhe së dyti, të njolloset kryesimi i vendit me Organizatën, proces i cili si në vend ashtu edhe në diplomacinë ndërkombëtare është vlerësuar si shumë i suksesshëm”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Njëherësh theksohet se kjo luftë për pikë të vogla politike nga ana e udhëheqësisë së VMRO-DPMNNE-së i shkakton dëm të madh imazhit të vendit, veçanërisht diplomacisë e cila aktualisht po përballet me sfida dhe aktivitete të shumta që janë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit.

“Edhe një herë theksojmë se jemi të hapur për të gjitha institucionet e interesuara që ta kontrollojnë dokumentacionin dhe t’i rishikojnë të gjitha aktivitetet në kuadër të procedurës, me qëllim që të hidhen poshtë të gjitha mundësitë për spekulime për korrektësinë e tij”, thonë në MPJ.