Në kryeqytetin e territoreve veriperëndimorë të Kanadasë, mijëra banorë po nxitojnë të evakuojnë pasi më shumë se 200 zjarre digjen në të gjithë rajonin, teksa qytetarët po përballen me kushte të rrezikshme rrugore ose duke qëndruar në radhë për orë të tëra për fluturimet urgjente që kërkohen dëshpërimisht.


Kryeqyteti Yellowknife, shtëpia e rreth 20 mijë vendasve dhe disa komunitete të tjera të territoreve veriperëndimore, janë urdhëruar të evakuohen, teksa ekuipazhet luftojnë 236 zjarre aktive në rajon.

Banorëve në Yellowknife u është kërkuar të evakuohen deri në mesditën e së premtes pasi një zjarr masiv zvarritet drejt qytetit dhe një autostrade kryesore.

Më shumë se 1000 zjarre po digjen në të gjithë Kanadanë, ku vendi po përballon sezonin e tij më të keq të zjarreve. Tymi është përhapur në ShBA, duke sjellë ndotje të dëmshme dhe përkeqësim të cilësisë së ajrit.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, u takua të enjten me një grup zyrtarësh të lartë qeveritarë dhe ministra për të diskutuar lidhur me zjarret në vazhdim dhe potencialin e tyre për të ndikuar në infrastrukturë, duke përfshirë rrugët dhe telekomunikacionet.

Forcat e Armatosura Kanadeze po ndihmojnë për shuarjen e zjarrit dhe transportin ajror në territoret veriperëndimore. Forca Ajrore Mbretërore Kanadeze ka vendosur disa avionë dhe helikopterë për të mbështetur ekuipazhet rajonale të emergjencës.

Më shumë se 1,000 njerëz u larguan nga Yellowknife gjatë fluturimeve urgjente të enjten, dhe afër 2,000 vende të tjera janë në dispozicion të premten, thanë zyrtarët e territorit në një përditësim në internet.

Shumë që shpresonin të fluturonin të enjten qëndruan për orë të tëra në radhë me lëvizje të ngadaltë, vetëm për t’u thënë se do të duhej të provonin përsëri të premten, raporton CBC degë e CNN, transmeton KlanKosova.tv.