Libi, 55 të vrarë në përleshjet në Tripoli

Të paktën 55 persona u vranë dhe 146 të tjerë u plagosën gjatë trazirave të përgjakshme që shpërthyen ditët e mëparshme në Tripoli, sipas një përfaqësuesi të qendrës së ndihmës së menjëhershme mjekësore në kryeqytetin libian.


Përplasjet mes grupeve të armatosura, më të rëndat në vite në Tripoli, nisën të zbuten sot pas lirimit të komandantit të të ashtuquajturës Brigada 444, kapja e të cilit kishte shkaktuar trazira.

E ashtuquajtura Forca Speciale e Ndalimit ra dakord të lironte komandantin e Brigadës 444, Mahmud Hamza, të cilin e mbante rob. Hamza iu dorëzua një grupi të tretë të armatosur, Mekanizmit Mbështetës të Stabilizimit, pasi forcat e sigurisë mbajtën një qëndrim neutraliteti sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Libia është në kaos që nga viti 2011, kur një kryengritje e mbështetur nga NATO rrëzoi regjimin e kolonel Gadafit. Në vendin e pasur me naftë, dy qeveri rivale kanë luftuar për pushtet që atëherë: njëra në perëndim dhe tjetra në lindje.

Verën e kaluar, përleshjet midis Forcave Speciale të Parandalimit dhe grupeve të tjera të armatosura vranë të paktën 50 persona në kryeqytetin libian.