Shkruan: Çun Lajçi


Ai po rrin mbështetun n’pemët e qytetit, kinse po shet libra! Por jo! Ai po i kqyrë deputetët; – cilat po i tundin vithet ma shumë!

Po i përgjon; – me kend po flasin? Kujt po i qeshin? Kujt po i telefonojnë? E mandej po i vargisë shkronjat mbarë e mbrapshtë.
Ndoshta edhe i publikon! Ndoshta asht agjent! Nuk i besohet artistit!?

– Unë pa pardon flas; – mua nuk m’ka goja lesh as syni ujë! Unë shkruej çka m’shohin sytë e mi. S’u ve pika as presje shkronjave t’mia dhe i shes ku të dua unë, jo ku keni qejf ju! – kishte thanë garipi plak!

I pëshpëriste dje, mikut t’vet, ai mësuesi i fshatit, tek sa kalonte sheshit, përballë artistit. Ai që çdo t’merkure zbret n’sheher me i pa fotografitë e të vdekunve, n’trupat e pemëve!
– I ka dalë zani për rrebel! Ai siduket vazhdimisht e shikon filmin, “Rrebel pa arësye”, sepse shkrimet i ka t’egra e kangët i ka t’buta. Të gryta! Erotike! Plot lang dashnie!
Por s’i besohet; – a po iu këndon atyne bareshave që dikur qëndisnin meste n’hijet e staneve, apo, po u thurë vargje grave t’shefave, që sorollatën para librave të tia e bajnë selfie me firaunin artist!

Dje, hiç ma larg, ajo deputetja që her po i mbushë buzët her gjinjtë, e kishte ble nji libër prej tij dhe ishte shtri n’kolltuk! Po shkrihej si krypa n’ujë tue folë; – sa shkrime t’idhta, t’tharta, t’egra, t’buta, t’ambla! Oh sa langëzore! Dhe lëpihej e përbihej!
– Boll ma se ta lash djalin jetim, i kishte bërtitë i shoqi!
Komshiu m’tha; – lamësh janë ba dje, këta komshitë e mi, për njifar libri “Jetimi”!

Dje kur kaloi shetitores ajo syzeza, e dyta e partisë së dalun nga lufta, ajo thacajka, ky e mori çftelinë dhe piskati; – kur ti shoh ty sytë e zi, bukë nuk ha as ujë nuk pi, ku ta baj nji natë me ty!
Ajo viranja, veç i hudhi flokët mbrapa shpatullave e ofshani; – shkruej e mos k’no, se po t’laget baruti!
– Ndoshta e pati fjalën për përfaqësuesin e invalidve të luftës, që deklaroi; – “mè parè e vras Albin Kurtin sesa qè ia léshoj rrugèn e iku nga Kosova”!

Ky menjiherë e rrotulloi kangën; – Kryeministri faqezi, s’po i len dhelpnat n’kotec me hi! – demek ia gjuejti atij deputetit kryecullak, që po thotë për kryeministrin; – ai asht i pafytyrë. Atij që po insiston me nënshkrua peticionin e me ia thye qafën kapuçkeqit e mu kthye n’kotec të pulat!

Fliste mësuesi i fshatit e shitësi i librave rrinte mbështetun n’trupin e pemës tue krua shpinën, si arusha!