Partitë e reja kanë nevojë të shtrihen në gjithë territorin e shtetit me qëllim që të zgjerohen. Kështu u shpreh sot në SummerClick ish zv.kryeministri i vendit Imer Selmani. Sipas tij Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit padyshim që do ta dëmtojë BDI-në sepse pikërisht BDI-ja ka qenë shumë e fuqishme në komunën e Çairit.


“Vitet e fundit ose dy dekadat e fundit më e fuqishme BDI-ja tërë kohën ka qenë në Çair. Në rrethinën e Shkupit, në Saraj. Ashtu që BDI-ja patjetër se nuk e ka njësoj, nuk do ta ketë njësoj pa Izet Mexhitin dhe pa njerëzit të cilët janë rreth Izet Mexhitit. Por prap them duhet parë shtrirja sepse vetëm Çairi ka ndikimin e vet ndoshta në zgjedhjet lokale. Mirëpo në zgjedhjet parlamentare numërohet çdo votë, në çdo fshat në çdo cep të vendit tonë”, tha Imer Selmani – Ish zv.kryeministër.

I të njejtit mendim Selmani është edhe për Partinë Demokratike Evropiane të Arjanit Hoxhës. Sipas Selmanit, edhe kjo parti duhet periudhën në vijim të shtrijë ndikimin e saj sa më tepër të mundet në nivel shtetëror. E kur jemi te partitë e reja, duke komentuar deklaratën e kreut të Alternativës Afrim Gashi se BDI në çdo parti ka njerëzit e vet të infiltruar, Selmani thotë se kjo është tepër konspirative.

“Është tepër konspirative të thuash se BDI-ja ka në çdo parti politike njerëz të infiltruar. Kjo mund të shihet si lojë jo fer por nga ana tjetër edhe një dobësi e partive politike aktuale të cilat kanë lejuar që eventualisht BDI-ja të ketë infiltrime të tilla. Unë mendoj se nuk është situata e tillë. Nuk mund të funksionojnë bash ashtu se ja po formohet një parti politike, unë do t’i çoj pesë vetë atje, dhjetë vetë atje, njëzet vetë atje dhe në momentin e duhur pastaj do t’i tërheqë”, deklaroi Imer Selmani – Ish zv.kryeministër.

Përndryshe partitë e reja si Lëvizja Demokratike ashtu edhe Partia Demokratike Evropiane, janë të bindura se në të ardhmen do ta dëshmojnë se vendimi i tillë për hapje të partive ka qenë hapi i duhur sepse do të punojnë në interes të qytetarëve të vendit. Të dy partitë janë me orientim pro-evropian.