Maja e një shigjete të gjetur në Zvicër në shekullin e 19-të është bërë nga materiali jashtëtokësor. Analiza e bërë në majën e shigjetës me peshë rreth 3 gram, tregon se materiali nga i cili është bërë nuk mund të gjendet në Tokë.


Një grup studiuesish kishin vëzhguar me kuriozitet për disa kohë majën e saj në Muzeun Historik të Bernës dhe vunë re se materiali i saj ishte i ngjashëm me hekurin, çka ngjalli disa dyshime te studiuesit. Pas kryerjes së një analizë kimike të objektit, u zbulua se maja e shigjetës është e përbërë nga material që nuk gjendet në Tokë, ndoshta me origjinë meteorike.

Analizat e kryera nga Beda Hofmann e Institutit të Shkencave Gjeologjike të Universitetit të Bernës, rezultatet e të cilave janë botuar në “Journal of Archaeological Science”, kanë theksuar në veçanti se maja e shigjetës është pjesërisht e përbërë nga izotope (atome me të njëjtin numër të protoneve, por numër të ndryshëm të neutroneve në krahasim me elementin referues) të aluminit-26, i cili është një material që nuk gjendet në planetin tonë. Për më tepër, ndonëse në sasi të kufizuar, u gjet edhe një metal i përbërë nga një lidhje hekuri dhe nikeli, i pranishëm vetëm në meteorite.

Po kujt i përkiste një objekt i tillë? Kjo pyetje e parë pasohet nga një përgjigje mjaft e thjeshtë. Maja e shigjetës, 39 milimetra e gjatë, daton rreth 2500 vjet më parë, kur një grup individësh që përdorën shigjeta të këtij lloji jetonin në Mörigen.

Përgjigja për një pyetje të dytë është më e ndërlikuar, domethënë nga erdhi materiali i nevojshëm për të ndërtuar vetë shigjetën? Hipoteza e parë ishte se materiali vinte nga meteori Tëannberg i cili ishte përplasur në Tokë vetëm 8 kilometra nga pika ku ishte gjetur objekti.

Por një analizë krahasuese e përqendrimit të elementëve të tjerë kimikë e përjashtoi këtë mundësi. Kështu studiuesit filluan të shikonin meteoritët e tjerë që ranë gjatë asaj periudhe kohore. Dhe në fund ata arritën në përfundimin se burimi më i mundshëm për majën e shigjetës është një meteorit që ra në Estoni. Nëse kjo hipotezë qëndron, duke përjashtuar të gjithë të tjerët, do të konfirmojë edhe një herë praninë e një aktiviteti intensiv tregtar gjatë Epokës së Bronzit në Evropën Qendrore.