Disa teza mbi demokratizimin, reformat, kodin zgjedhor dhe fundin e dominimit të partive postkomuniste në Shqipëri!

Nga Arian Galdini


Për pak ditë nis sezoni i ri politik dhe sigurisht të gjithë po përgatisin zbritjen e tyre në fushë.

Sado qesharake të duket, politika shqiptare e vjetër dhe e re, ia ka dalë mbanë të bëjë pushim në verë çdo vit, e të paralajmërojë revolucionin e shtatorit, shkundjet e shtatorit, prurjet e nisjet e reja të shtatorit, e kështu me radhë…

Nuk mjafton bindja e gjerë qytetare se klasa politike në vendin tonë bën teatër, por edhe ndërtohen të gjitha kumtet e ritualet të cilat e bëjnë edhe me skenar e regji e paralajmërim e marketing, daljen në skenë të aktorëve politikë për shfaqjet e tyre.

Ma gjeni një rast të dytë në botë ku veprimtarët politikë, partitë politike, aktivistët civilë, idealistë apo protagonistët publikë, bien të gjithë dakort të bëjnë pushimet të qetë në verë, që pastaj të rifillojnë teatrin me njoftim paraprak në shtator…

Ju lutem, ju sfidoj të ma gjeni një rast të ngjashëm ku lajm në media e shoqëri janë gjatë gjithë verës, se në shtator do shkundet qeveria, në shtator do bëjë namin Kryeministri, në shtator do rifillojë betejën PD e Lulzim Bashës, në shtator do fillojnë protestat dhe revolucionin Berisha me Metën, në shtator do vijë ai, në shtator po vjen lëvizja e re që do bëjë namin, etj, etj, etj….

Pse të gjithë në shtator???

Nëse Shqipëria vuan dhe ka nevojë emergjente për ndryshim, pse politika e vjetër a e re ka luksin të bëjë pushime në verë e nisë punën me paralajmërim në shtator????

Ku dhe kur është parë e dëgjuar kjo???

Ta shihni ju, sa të vijë shtatori po paralajmërojnë të gjithë të vjetër e të rinj, nga shezlongët e paqtë të plazheve të bukura.

Në shtator do plasë.

Se gjithçka është me pushime.

Në shtator rifillon teatri..

E ndërsa të gjithë paralajmërojnë teatrin e shtatorit, janë bërë publike edhe disa nga tezat e tyre, apo më saktë copëzat e skenarit sipas akteve që do të luhen në teatrin e shtatorit e tutje.

1. Edi Rama do shkundë qeverinë dhe PS dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme.

2. Lulzim Basha do rinisë betejën për Partinë Demokratike.

3. Sali Berisha dhe Ilir Meta do të rinisin protestat masive dhe revolucionin.

4. Në shtator po vjen ai, po vjen lëvizja e re që do na demokratizojë Shqipërinë dhe do të ba shpëtojë nga PS – PD – PL.

Edi Rama e ka të thjeshtë arsyetimin.
Me fuqinë e pushtetit ai përtyp dhe ripërtyp lojtarët, faktorët dhe energjitë brenda partisë së tij.

Çdo shkundje pushteti me përtypje dhe ripërtypje, ripërjetohet si lëvizje ujërash për pastrim dhe ripërtëritje, si dikur kur Enver Hoxha bënte Pleniume të forta goditëse.

E njëjta parti që i bën vetë të gjitha edhe “të keqen” edhe “vetëpastrimin”.

Shoqëria shqiptare e pamësuar me demokracinë dhe ende nën mendësinë mbizotëruese të të shkuarës komuniste, i sheh si normalitet këto taktika pushteti e fuqie, ku i njëjti njeri bën edhe dreqin edhe shenjtin…

Edhe Berisha me Metën duke paralajmëruar nisjen e protestave, në fakt po bëjnë të njëjtën gjë, sepse po tregojnë muskujt e tyre në anën tjetër të qeverisjes.

Duke paralajmëruar protestat ata duan që të shpalosin numrat e tyre, për të dekurajuar këdo e gjithçka tjetër.

Kur bien daullet, nuk dëgjohet flauti.

Pra të vjetrit e politikës nuk kanë shqetësime as morale e as nevojë për teza identifikuese.

Atyre u duhet thjesht demonstrimi i fuqisë.

Nga ana tjetër, “të rinjtë apo mëtonjësit” ngase nuk kanë muskuj, paradeklarojnë teza.

U duhen tezat për “casus belli”.

Pa teza nuk munden të bëjnë dot as lajm, as ngjarje, as beteja, as njerëz.

Dhe cilat janë tezat që po qarkullohen gjatë pushimeve të verës, se do na ndryshojnë jetën ne shtator e tutje????

1. Demokratizimi i Shqipërisë duke miratuar ligjin e Referendumeve.

2. Listat e Hapura dhe Depolitizimi i Administrimit Zgjedhor.

3. Vota e emigrantëve.

4. Vettingu i Politikanëve.

Pak a shumë edhe Lulzim Basha edhe mëtonjësit e tjerë të rinj të shtatorit kanë të njëjtat teza.

Pyetja e parë që më lind ështe shumë e thjeshtë.

A janë vërtetë teza demokratizuese këto???

A janë realisht ndryshimi për të cilin ka nevojë Shqipëria???

A janë teza të reja këto???

A janë teza kaq imperative këto saqë duhen paralajmëruar gjatë gjithë pushimeve të verës, për të mezipritur shtatorin???

Dhe a janë këto teza jashtë interesit të “të vjetërve dhe të fuqishmëve” të politikës 33 vjeçare???

Kur Sali Berisha dhe Edi Rama ranë dakort ta vrasin demokracinë me Kushtetutë dhe Kod Elektoral në vitin 2008, i pari që doli kundër tyre ishte Ilir Meta.

Madje Ilir Meta bashkë me Nard Ndokën bënë edhe disa ditë grevë urie në Kuvend atbotë dhe kanë thënë çdo ditë se Berisha me Ramën po vrasin demokracinë dhe se duhet Referendum.

Referendumi ka qenë teza bazë e Ilir Metës prej vitit 2008.

Edhe Presidenti Bamir Topi i ka denoncuar si krim më të rëndë kundër demokracisë ndryshimet kushtetuese të 2008 dhe Kodin Elektoral të 2008 si fryt i po të njëjtës marrëveshje Berisha – Rama.

Atëherë pse Referendumet qenkan kaq tezë e rëndësishme saqë mezi duhet të presim shtatorin e 2023, nëse qenkan një tezë e vjetër prej vitit 2008???

Nëse Shqipëria nuk ka parti demokratike, nuk ka institucione demokratike, nuk ka mendësi demokratike e ende nuk ka arritur të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme prej vitit 1944 e deri sot, a mund të ma thoni, pse mendojmë e besojmë ne se në Referendum e me Referendum do veprohet ndryshe???

Ne kemi ende një shoqëri që voton sipas militantizmit dhe përkatësisë partiake, apo jo?

Pse mendojmë e besojmë ne se në Referendum e me Referendum, do votohet ndryshe???

Ne ende mendojmë e diskutojmë se votat shiten, blihen apo tjetërsohen, apo jo?

Pse mendojmë e besojmë ne se në Referendum e me Referendum, do veprohet ndryshe???

A është Referendumi zgjidhja???

Nuk e besoj.

Përveçse unë jam parimisht kundër Referendumeve si praktikë.

Kështu e mendoj e besoj unë.

Për mua Referendumet nuk janë instrument demokratik e aq më pak demokratizues.

Sipas meje referendumet janë një shpikje e “grupeve të fuqisë” për të ndërtuar iluzionin se populli voton e qytetarët vendosin për fatet e tyre.

Rrena më e madhe e disa dekadave kjo, pasi edhe bufi e di se proçeset zgjedhore dhe ato referendare janë kryesisht operacione financiare dhe logjistike e fitues del gjithmonë pala që hedh më shumë para në lojë.

Nejse, shkojmë më tutje.

Teza e listave të hapura dhe depolitizimit të administrimit zgjedhor, është një bashkim fjalësh dhe konceptesh që duken të drejta por që nuk ka këtu asgjë me vlerë për të mezipritur shtatorin.

Pyetja është shumë kumbuese në këtë rast, a duam të arrnojmë këtë Kod demoktacivrasës elektoral që kanë miratuar në vitin 2008 Rama me Berishën dhe që e kanë ndryshuar disa herë pa e ndryshuar hiç thelbin e tij edhe vitet e fundit, apo duam të hapim një debat të madh publik, akademik dhe politik mbi ndryshimin rrënjësor të Kodit Elektoral????

Kodi Elektral aktualisht ka disa “vrasës” brenda natyrës e frymës së tij, por më kryesori është “vrasësi” i alternativave e mundësive të reja.

A e zgjidhin këtë çështje Listat e Hapura???

Po veçoj listat e hapura sepse për depolitizimin e administrimit zgjedhor dhe për domosdoshmërinë pozitive të votës së emigrantëve, jam prej viteve 2000, dakort 10000000%.

Pra nuk kam asnjë debat e asnjë kundërshti me depolitizimin e administrimit zgjedhor dhe me të drejtën e emigrantëve për të votuar.

Kam shkruar dhjetra artikuj në gazetat kryesore në vend për këto prej viteve 2000 e këndej e kam folur në shumë media e salla e auditorë.

Tani Listat e Hapura.

Kjo përalla e Listave të Hapura, a demokratizon vallë sistemin, Shqipërinë, institucionet, partitë???

Ky qenka problemi???

Vërtetë besohet se Listat e Hapura do cënojnë apo lëndojnë kryetarokracinë???

Sipas meje, këto janë fjalë kyçe e koncepte impotente projektesh që vijnë nga shoqëria civile, por jo teza e koncepte reale politike.

Kot nuk thonë: shoqëria civile është si eunuku, që e di shumë mirë se si bëhet ajo punë, por që nuk e bën dot sepse e kanë tredhur.

Edhe eunukizmat me Lista të Hapura janë një histori vere për të shtyrë shtatorin…

Nëse nuk ndryshon Kodi Elektoral në themel të frymës e natyrës së tij, Listat e Hapura me këtë Kod do të ishin një arrnim që do ta ekonomizojë dhe fuqizojë më tepër kryetarokracinë.

Sepse dihet, që me Lista të Hapura fiton ai që ka më shumë para, famë dhe hir e favor nga Kryetari dhe Grupet e Interesit.

Listat e Hapura thjesht do fuqizojnë ndikimin e Grupeve të Interesit tek Kryetari, e së bashku me Kryetarin do hedhin para për të bërë me famë e me logjistikë e shumë para, kandidatët që do duan këta të fitojnë.

Kryetarokraci e kombinuar me favoritizëm dhe klientelizëm do sjellin listat e hapura.

Mbajeni mend e shënim këtë.

Zyrat e shtypit të partive dhe PR i Partive që komandohen nga Kryetari, do të bëhen institucioni më i rëndësishëm në parti sepse do fuqizojnë me famë e mediatikisht “kandidatët” që kanë hirin dhe favorin e Kryetarit si edhe kandidatët për të cilët do hidhet më shumë para e logjistikë nga Grupet e Interesit.

Nuk janë Listat e Hapura demokratizuese, por janë garancitë ligjore që lejojnë e mundësojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta.

Sa për tezën e vettingut të politikanëve, nuk po harxhoj shumë energji, sepse duket si një koncept skuthokratik, e ndërtimit të një rrjete pas faktit të kryer për me kap peshqit që do ketë dakordësim nëse do të ketë dakordësim.

Përallë e bukur shumë.

E për ta mbyllur po pyes: Nëse Rama shkund qeverinë në shtator e Berisha me Metën nisin protestat, a ka gjasa vallë realisht të ndryshojë vërtetësisht Kodi Elektoral???

Apo do përdoren arrnat e të rinjve si justifikim për vijimësinë e të vjetërve???

Po të duan le ta kryejnë të parën Reformën Zgjedhore.

Nuk po shpikin “bombën atomike”.

Le të nisin në shtator e të vendosin ta përmbyllin reformën zgjedhore deri në dhjetor.

Mos ta zvarrisin, mos të luajnë më me të.

Të caktojnë me detyrim një afat debati publik dhe miratimi final të Reformës Zgjedhore.

Afati ti caktohet Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Tezahedhësit le të ushtrojnë trysni publike e njerëzore që Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore ti caktohet afati shtator-dhjetor për kryerjen e plotë të debatit mbi të deri tek miratimi i saj.

Këtë të bëjnë edhe ndërkombëtarët.

Jo përalla. Afate konkrete me detyrim – përcaktim.

E meqë të gjitha tezat bënë pushim gjatë verës për të ardhur në shtator, le ta shtyjnë deri në janar.

Ndryshojmë njëherë Kodin Elektoral, e pastaj ia nisim me shkundje, tundje, revolucione, kthime, rikthime e prurje të reja.

Arian Galdini