Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka akuzuar sot, kryeministrin Edi Rama si dhe ish-ministrin Ilir Beqja se janë pronarët realë të atij që Berisha e cilësoi si inceneratori i shëndetësisë.


Berisha më tej tha se sterilizimi iu ka kushtuar shqiptarëve gjer më sot 79 mln euro, duke e bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se sa në Gjermani.

“Edi Rama sapo zbriti dje nga autobusi i BE-së apo aeroplani rus, nuk u mor vesh se cilin preferonte, faktoi në mënyrë përfundimtare se ai dhe Beqja i tij janë pronarët realë, të vjedhjes së dytë shekullit, apo inceneratorit të shëndetësisë, kurse Rrapaj dhe stërrapaj janë thjeshtë pronarët në letër, apo Zotot dhe Mërtirët e aferës.

Edi Rama provoi dje se ai me Beqjen e tij janë pronarët realë të vjedhjes së dytë të shekullit, sepse ai pas amnistimit të Beqjes nga skapi i partisë, në një akt të pastër kriminal, rendi dje të mbrojë me inskenime dhe dëshmitarë të rremë, dhe statistika false, veprën e tij të rëndë penale, sterilizimin që ju ka kushtuar shqiptarëve gjer sot 79 mln euro dhe që ka rritur me 80 herë çmimin e sterilizimit për njësi në vend dhe e ka bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se sa në Gjermani.

Edi Rama doli dje si krimineli që kthehet në vendin e krimit, duke faktuar se sterilizimi është biznesi i tij dhe Beqjat sepse ai dje mbrojti aferën e tmerrshme korruptive për të cilën, për shkak të kostos stratosferike u privuan nga ndërhyrjet kirurgjikale të domosdoshme, çdo muaj, 1 mijë të sëmurë dhe ky privim me qindra, mos mijëra raste pati pasoja fatale për të sëmurët.

Edi Rama dëshmoi dje se sterilizimi është vjedhja e dytë e tij e shekullit dhe është biznes i tij dhe Beqjes, kurse muratori i tyre Rrapaj me investalin e tij me kapital 1 mijë euro është thjeshtë Zoto i radhës.

Edi Rama mori dje publikisht një akt flagrant të hapur presioni ndaj gjykatës, e cila me shumë të drejtë pasi ka njohur dosjen ka kërkuar anulimin e kontratës si akt fund e krye korruptiv, si vepër e mirëfilltë penale.

Edi Rama dje me sulmin ndaj gjykatës kishte si mesazh të prerë; mjerë ai që guxon të prekë pronën time, për të cilën ai vetë është i aftë të bëjë çdo gjë që ta amnistojë, siç amnistoi ortakun e tij Ilir Beqja.

Edi Rama dëshmoi dje se në mbrojtje të biznesit të tij, nuk njeh ligj, kushtetutë, as edhe institucione kushtetuese të vendit siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucion që ka denoncuar 2 vite më parë kontratën si korruptive dhe ka kërkuar rinegocimin e plotë të saj.

Edi Rama dje hoqi çdo maskë dhe me dëshmitarë dhe shifra të rreme mbrojti kontratën që në themelin e saj bazohet në konfliktin e interesit dhe mashtrimin me pasoja gjer sot 79 mln euro nga ai dhe Beqja i tij, të sëmurëve shqiptarë”-tha Berisha.