Bekteshi: Sllupçanasit janë shumë më patriotë se VMRO-DPMNE

E mohoj që në negociatat ndërmjet përfaqësuesve të fshatit Sllupçan dhe EVN-së kanë marrë pjesë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, unë apo dikush nga Qeveria. Madje, sllupçanasit janë shumë më patriotë se VMRO-DPMNE, kanë kontribut më të madh për barazinë dhe të ardhmen e vendit. Kështu i është përgjigjur ministri Kreshnik Bekteshi akuzave të VMRO-së se ka negociuar për një marrëveshje midis Sllupçanit dhe EVN-së për energjinë elektrike, konkretisht punëve të EVN-së për rrjetin e ri të energjisë në këtë fshat të Komunës së Likovës.


Statusi i plotë i ministrit Bekteshi:

Sllupçanasit janë shumë më patriotë se VMRO-DPMNE, kanë kontribut më të madh për barazinë dhe të ardhmen e vendit.

E mohoj që në negociatat ndërmjet përfaqësuesve të fshatit Sllupçan dhe EVN-së kanë marrë pjesë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, unë apo dikush nga Qeveria.

Por, duke marrë parasysh angazhimet e Qeverisë, si institucione që monitorojnë sektorin e energjisë në përgjithësi, ne gjithmonë japim mesazhe në drejtim të uljes së humbjeve në nivel shtetëror sepse është në interes të gjithë shtetit dhe qytetarëve.

Dhe, nëse duhet të ndihmojmë si Ministri e Ekonomisë, do të ndihmojmë banorët jo vetëm në Sllupçan por edhe në vendbanimet tjera.

Synimi për të shpifur ndaj sllupçanasve, duke shpërndarë lajme të rreme për të fituar pikë politike në kartën kombëtare, mohohet si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Çdo banor i fshatit Sllupçan është patriot shumë herë më i madh se VMRO-ja, me kontribut më të madh për barazinë dhe të ardhmen e vendit.

Para se të shpifin për të tjerët, le t’u shpjegojnë qytetarëve se në çfarë mënyre komunat dhe NPK-të e drejtuara nga stafi i tyre paguajnë energjinë elektrike, humbje që janë shumë më të mëdha se humbjet në nivel shtetëror për energjinë elektrike.